Është dita e dytë në postin e ri.
Emir Abrashi që nga e shtuna ka marrë drejtimin e partisë Aleanca e Re, e cila që nga themelimi u udhëhoq nga ish-Presidenti, Behgjet Pacolli.
Para se të hyjë në politikë, Abrashi ishte i angazhuar në shoqëri civile.
Për Tëvë 1, kryetari i ri i AKR-së, ka treguar motivet që e shtynë të udhëheqë këtë parti.
“Të ndihmojë institucionet e Kosovës që të zgjidhin ngërçet por në anën tjetër poashtu është qëllimi të sjellim një alternativë për qytetarët që në komunikimet e vazhdueshme shprehen se nuk shohim alternativë në Kosovë. Janë të pakënaqur me qeverisjen poashtu janë të pakënaqur edhe me reformat që opozita i ka bërë dhe nuk e shohin opozitën si alternativë” , ka thënë Abrashi.
Mes tjerash ai ka treguar synimet për rritjen e AKR-së si parti politike.
“Qëllimi im është që në AKR të sjellë figura të reja, ta bëjë partinë të hapur për publikun, të jetë këtu një vend ku vijnë idetë dhe ku nxirren politika progresive. AKR siç e dini është parti liberale rrjedhimisht ne kemi qasje liberale edhe ndaj politikës edhe ndaj ekonomisë”, u shpreh tutje Abrashi.
E në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin, Abrashi do të përballet me një sfidë të rëndësishme si kryetar i ri i AKR-së, zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Si parti, akoma nuk kanë një qëndrim nëse do të garojnë të vetëm, apo si pjesë e ndonjë koalicioni.
“Kjo është dita ime e dytë si kryetar i AKR-së, jam zgjedhur në mbrëmjen e së shtunës dhe është akoma herët, “unë jam duke analizuar se ku qëndrojmë si subjekt politik, jam duke analizuar se cilat janë kapacitet e si mund të riorganizohemi. Prandaj është herët të themi se si do të futemi në zgjedhje në rast që mbahen zgjedhjet.
Për ngërçin politik për çështjen e Presidentit, Abrashi thotë se fajtore janë të gjitha partitë, të cilat sipas tij nuk po arrijnë ta vendosin intersin e vendit para interesave të tyre individuale”, theksoj Abrashi.
