Lajme

“Ra ky mort e u pamë”, Ramabaja: Po shihen ata që duan ta zhbëjnë Republikën

Analisti Sadri Ramabaja ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar për 16 shtator, duke thënë se, sipas tij, në emër të mbrojtjes së UÇK-së po tentohet të goditet Republika e Kosovës.

Ramabaja ka akuzuar organizatorët për “instrumentalizim të UÇK-së” dhe ka paralajmëruar se çdo përpjekje për destabilizimin e shtetit duhet të ndalet përmes mjeteve institucionale, politike dhe demokratike.

“UÇK-ja nuk luftoi që Kosova të kthehej në një hapësirë pa shtet e pa institucione. Vepra politike e asaj lufte është Republika”, ka shkruar Ramabaja.

Ai ka thënë se Kosova “nuk kthehet prapa” dhe se Republika do të qëndrojë.

Shkrimi i plotë i Ramabajës:

RA KY MORT E U PAMË!

“Ra ky mort e u pamë” — kështu thotë urtësia jonë popullore kur një shoqëri përballet me një provë që zbulon fytyrat, qëllimet dhe projektet e vërteta, por edhe dhimbjen e thellë dhe moralin e dyfisht që fshihet prapa tij.

Më 16 shtator, haxhiqamilët modernë duan të rikthehen në skenë. Pretendojnë se po mbrojnë UÇK-në, ndërsa në të vërtetë synojnë të godasin Republikën, pikërisht atë vepër politike e historike që u bë e mundur nga lufta e UÇK-së së vegjëlisë dhe sakrifica e popullit shqiptar.

Kjo është paradoksale deri në absurd: Të përdorësh emblemën e UÇK-së si mburojë për ta zhbërë Republikën që doli nga lufta e saj!

Jo. Ky paralajmrim nuk është mbrojtje e UÇK-së. Ky është instrumentalizim i saj.

UÇK-ja nuk luftoi që Kosova të kthehej në një hapësirë pa shtet, pa institucione dhe pa orientim euroatlantik. Ajo luftoi për liri, për dinjitet dhe për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar shtetin e tyre.

Vepra politike e asaj lufte është Republika.

Dhe Republika nuk është fundi i historisë shqiptare. Është stad i ndërmjetëm i Bashkimit — një bazë e fuqishme mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja kombëtare në Evropën e bashkuar.

Prandaj, kush sot kërkon ta zhbëjë Republikën duke u fshehur pas simboleve të UÇK-së, duhet ta dijë: nuk mund të përdoret UÇK-ja kundër Republikës që lindi nga lufta e saj.

Kjo sjellje-mënxyrë e paralajmruar duhet të ndalet me vendosmëri — në rrugë institucionale, politike dhe demokratike. Shteti nuk mund të lejojë që simbolika e luftës për liri të shndërrohet në instrument për destabilizimin dhe zhbërjen e rendit kushtetues.

Riciklimi i pranverës së 2004-ës tani në vjeshtën e 2026-ës është akt anti UÇK-së dhe vet Lirisë.

Sepse Republika nuk është pronë e një partie, e një grupi apo e një individi.

Republika është fitorja më sublime e një populli.

Dhe as haxhiqamilët modernë, sado zhurmshëm të shfaqen, as Serbia, sado këmbëngulëse të jetë në projektet e saj revizioniste, nuk mund ta kthejnë historinë prapa.

16 shtatori mund të jetë një provë. Por mund të jetë edhe një moment kthjellimi.

Ra ky mort — e u pamë.

U panë ata që e duan Republikën.

Po shihen edhe ata që duan ta zhbëjnë atë.

Dhe u pa qartë se kush e përdor UÇK-në si kujtesë të lirisë dhe kush përpiqet ta përdorë si maskë për një projekt tjetër.

Republika do të qëndrojë.

Vepra e UÇK-së do të mbetet.

Historia nuk zhbëhet me skenarë të ricikluar.

Sepse Kosova nuk kthehet prapa.

Të Ngjashme