Një studim ndërkombëtar ka treguar se radioterapia mund të shmanget në mënyrë të sigurt për shumë paciente me kancer gjiri që kanë kryer mastektomi dhe po trajtohen me ilaçe kundër kancerit. Kërkimi, i botuar në New England Journal of Medicine, gjeti se pacientet me kancer gjiri në fazë të hershme kishin të njëjtën normë mbijetese pas 10 vitesh, pavarësisht nëse kishin marrë apo jo radioterapi.
Tradicionalisht, radioterapia në murin e kraharorit pas mastektomisë ka qenë standard për të eliminuar qelizat e mbetura kancerogjene dhe për të ulur rrezikun e rikthimit të sëmundjes. Megjithatë, praktika mbështetet në prova të viteve 1980, të cilat tashmë konsiderohen të vjetruara.
Studimi SUPREMO, i udhëhequr nga Universiteti i Edinburgut, përfshiu 1607 gra nga 17 vende me rrezik të ndërmjetëm për rikthimin e kancerit. Të gjitha kishin bërë mastektomi, kirurgji të nyjave limfatike dhe trajtime moderne kundër kancerit. Ato u ndanë rastësisht në dy grupe: 808 morën radioterapi, ndërsa 799 jo. Pas dhjetë vitesh, mbijetesa ishte pothuajse identike: 81.4% te grupi me radioterapi dhe 81.9% tek ai pa të.
Radioterapia nuk ndikoi as në mbijetesën pa sëmundje, as në përhapjen e kancerit në pjesë të tjera të trupit. Rikthimi lokal i kancerit ishte i rrallë në të dy grupet, 9 raste me radioterapi kundrejt 20 pa të. Efektet anësore ishin të lehta dhe nuk pati rritje të vdekjeve nga shkaqe kardiake.
Ekspertët thonë se përfitimet më të ulëta nga radioterapia lidhen me përmirësimet e mëdha në terapitë moderne me ilaçe, të cilat reduktojnë ndjeshëm rikthimin e kancerit dhe rrisin mbijetesën. Studiuesit theksojnë se rezultatet vlejnë vetëm për pacientet me rrezik të ndërmjetëm, ato me rrezik më të lartë mund të përfitojnë ende nga radioterapia. Profesori Ian Kunkler tha se nuk ka prova që radioterapia në murin e kraharorit është e nevojshme për shumicën e pacienteve me trajtime moderne. / NYT – Syri.net
