Milan Radoiçiq dyshohet se është larguar nga Serbia dhe ka shkuar në Rusi, pavarësisht vendimit gjyqësor që ia ndalon largimin nga vendi. Kështu ka deklaruar ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, duke iu referuar informacioneve jozyrtare nga kjo agjenci.
Në një intervistë për televizionin N1, Zvezdanoviq ka thënë se, sipas informacioneve që posedon, Radoiçiq tashmë ndodhet në Rusi, transmeton KosovaPress.
I pyetur nëse largimi i tij është bërë me leje apo në mënyrë të paligjshme, ish-inspektori ka përmendur faktin se Partia Përparimtare Serbe (SNS) vazhdon të jetë në pushtet.
“Atij nuk i është dashur leje”, ka deklaruar Zvezdanoviq.
Sipas tij, largimi i Radoiçiqit ka shkaktuar shqetësim edhe në nivelet e larta të inteligjencës serbe.
Sipas tij, ky zhvillim ka shqetësuar “madje edhe një pjesë të kreut të BIA-s, që kishte skema biznesi dhe kriminale me të”.
Ndërkohë, Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, i është ndaluar largimi nga Serbia me vendim gjykate.
Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është vendosur detyrimi për t’u paraqitur rregullisht në polici.
Televizioni N1 ka raportuar se më 29 tetor i është drejtuar Gjykatës së Lartë në Serbi për të kërkuar informacion nëse Radoiçiq po e respekton këtë masë, por nuk ka marrë përgjigje.
Radoiçiq kërkohet nga Interpoli, e edhe nga nga Kosova lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Pavarësisht pranimit të përgjegjësisë për organizimin e sulmit, Radoiçiq nuk është dorëzuar tek autoritetet e Kosovës.
