Edi Rama i drejtohet Trumpit për gjykimin e Thaçit: Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e Bordit të Paqes i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të reagojë për gjykimin e Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë
Rama tha se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte parandaluar për të nënshkruar marrëveshjen e Washingtonit nga prokurori Jack Smith, i cili iu vu pas edhe vetë presidentit amerikan.
“Presidenti i Kosovës atëherë u pengua brutalisht të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për ta nënshkruar atë marrëveshje në prani të Presidentit Trump. Dhe kjo ishte vepër e po atij prokurori “sicario” që kishte shkuar edhe pas vetë Presidentit Trump dhe për këtë u bë i famshëm në mbarë botën”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha se tashmë Thaçi po i bën gjashtë vjet në burg të një gjykate që sponsorizohet nga disa shtete demokratike, që sipas tij, dio të duhej të jenë të turpëruara nga një lloj i tillë i drejtësisë ndërkombëtare.
“Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar tashmë gjashtë vjet në paraburgim para një gjykate speciale në Hagë, e sponsorizuar nga disa shtete demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu, të cilat duhet të turpërohen për këtë lloj drejtësie ndërkombëtare.Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh dhe taksapaguesit e tij kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që dërgoi valë tronditëse poshtërimi për një komb të tërë që kërkon paqe.
Në këtë moment, vetëm pak muaj e ndajnë një njeri që u ngrit nga rezistenca kundër spastrimit etnik për t’u bërë paqebërës nga një përfundim potencialisht shkatërrues në një gjykatë që deri më tani ka dështuar në çdo hap për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike.Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të ndodhin përsëri”, tha Rama.
