Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për financimin e ekspozitës mbi masakrat në Kosovë, e cila ishte vendosur në formë tabelash në sheshin qendror të kryeqytetit.
Rama e ka cilësuar përmbajtjen e ekspozitës si skandaloze, duke theksuar se shumica e tabelave përmbanin pasaktësi në shifra dhe formulime, lidhur me masakrat e kryera ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999.
“Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”, ka shkruar Rama në Facebook pas largimit të tabelave të ekspozitës nga sheshi.
