Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohje ndaj asamblistëve të Kryeqytetit pas miratimit të buxhetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si akt të përgjegjësisë publike dhe pjekurisë politike.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka theksuar se miratimi i buxhetit është dëshmia më e qartë e funksionimit të demokracisë, kur përfaqësuesit institucionalë zgjedhin të ndërtojnë dhe të marrin përgjegjësi, në vend se të bllokojnë apo sabotojnë proceset.
Sipas tij, ky veprim shënon dallimin mes politikës së së kaluarës, e cila e mbante Kryeqytetin peng, dhe një qeverisjeje që ecën përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje.
“Mirënjohje për asamblistët e Kryeqytetit që sot dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kryeqytetit. Mirënjohje për qytetarët e Prishtinës, të cilët me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik, për vendimmarrje të përgjegjshme dhe për ndërtimin e së ardhmes së qytetit. Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar. Kjo është diferenca mes politikës së së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje. Kjo mendësi është themeli i zhvillimit”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se vetëm kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake. Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë dhe të ardhmen”, ka përfunduar Rama.
Kuvendi Komunal i Prishtinës, të premten, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar buxhetin e kryeqytetit për vitin 2026.
Buxheti është miratuar me 33 vota për, 8 vota kundër, ndërsa nuk ka pasur asnjë abstenim.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme Rama nuk ishte i pranishëm pasi aktualisht po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.