Lajme

Raporti i monitorimit i paguar nga qeveria rrëzon pretendimet e Ramës për përfshirjen e agjenturave, protestat

Raporti i monitorimit i paguar nga qeveria rrëzon pretendimet e Ramës për përfshirjen e agjenturave, protestat produkt i zemërimit të shqiptarëve
Shqipëria është përfshirë nga një valë e madhe protestash qytetare që morën emrin “Revolucioni i Flamingos”, një lëvizje që lindi si reagim ndaj planeve për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në zonat e mbrojtura mjedisore të Vjosë-Nartës dhe Ishullit të Sazanit. Ky projekt, i lidhur drejtpërdrejt me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, ngriti shqetësime të mëdha te qytetarët për ligjshmërinë e ndryshimeve në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës, duke i shtyrë ata të përdornin flamingot si simbol të kërcënimit ekologjik që i kanosej vendit. Në vend që të dëgjonte këto shqetësime, kryeministri Edi Rama zgjodhi një rrugë tjetër, duke u përpjekur ta paraqiste këtë pakënaqësi jo si një reagim legjitim popullor, por si një “luftë hibride” të orkestruar nga jashtë.

Për të ofruar një bazë mbështetëse shkencore për kornizimin e saj mbi luftën hibride, qeveria shqiptare filloi të qarkullonte privatisht një raport analitik të prodhuar nga kompania amerikane Blackbird AI. E regjistruar në Nju Jork dhe e udhëhequr nga themeluesi dhe CEO i saj, Wasim Khaled, një qytetar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Blackbird AI është e specializuar në fushën e “inteligjencës së narrativave”. Kjo kompani ofron shërbime të analizës së përhapjes së dezinformimit, manipulimit të koordinuar të llogarive dhe vlerësimit të rreziqeve reputacionale përmes platformës së saj të quajtur “Constellation”. Rëndësia industriale e kompanisë dëshmohet nga vlerësimet prestigjioze, përfshirë renditjen e saj nga Gartner në vitin 2026 si “Company to Beat” në fushën e inteligjencës së dezinformimit. Për më tepër, Blackbird AI ka një bashkëpunim të ngushtë strategjik me NATO-n, duke ofruar kapacitete të vlerësimit të mjedisit të informacionit (IEAC) për të luftuar dezinformimin në shkallë globale.

Ky profil i lartë i kompanisë në sferën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes ndërkombëtare krijon një kontrast të fortë me përdorimin që i bëri qeveria shqiptare. Përdorimi i një platforme të nivelit të NATO-s për të analizuar një protestë mjedisore lokale sugjeron një asimetri të theksuar në përdorimin e burimeve shtetërore për menaxhimin e diskursit të brendshëm qytetar. Një nga elementet më problematike mbetet mungesa e plotë e transparencës mbi porositjen dhe financimin e këtij raporti. Dokumenti i titulluar “Kushner Investment in Albania” nuk e bën publik klientin që ka komanduar ose paguar për këtë shërbim. Kjo paqartësi ngre dyshime të forta nëse raporti është faturuar nga buxheti i shtetit shqiptar, nga fonde private të lidhura me strukturat partiake, apo nga vetë entet e interesuara për investimin e Kushnerit.

See also  Ishin duke treguar “Live” gjendjen nga moti i keq, kryebashkiakët i merr vala e ujit… (VIDEO)Si doli blof Rama

Mekanizmi i shpërndarjes së raportit përforcon këtë mungesë institucionalizmi. Në vend që dokumenti të prezantohej zyrtarisht nga Ministria e Brendshme, Agjencia e Inteligjencës apo ndonjë institucion tjetër i sigurisë publike, ai u shpërnda në rrugë private dhe konfidenciale nga vetë Rama përmes aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp drejtuar përfaqësuesve të qeverive të huaja dhe kanaleve diplomatike në Tiranë. Sipas burimeve mediatike ndërkombëtare, kjo metodë informale e shpërndarjes së një raporti të paautorizuar zyrtarisht shkaktoi më shumë reagime ironike dhe humor te diplomatët e huaj sesa konsideratë serioze shtetërore.

Shmangia e rrugëve zyrtare të shpërndarjes tregon se qeveria shqiptare e kishte të pamundur ta mbronte profesionalisht raportin apo të garantonte transparencën e kontratës në përputhje me standardet e llogaridhënies publike. Në thelb, raporti i paguar nga qeveria doli kundër vetë interesave të saj, pasi të dhënat e analizuara nga kompania amerikane vërtetuan se zemërimi i protestuesve ishte i sinqertë dhe i bazuar në shqetësime legjitime ndaj establishmentit. Edhe pse qeveria pretendonte publikisht se protestat ishin të sajuara dhe të kontrolluara nga forca të huaja si Irani, Rusia apo Greqia, raporti i Blackbird AI konstatoi se nuk kishte asnjë provë që protestat fizike në rrugë të ishin organizuar nga jashtë.

Përkundrazi, ai tregoi se kundërshtimi ndaj projektit bashkoi një koalicion shumë të larmishëm njerëzish, nga mbrojtësit e mjedisit deri te aktivistët e krahëve të ndryshëm politikë, gjë që vërteton se lëvizja ishte një reagim organik lokal për të mbrojtur pasuritë natyrore të Shqipërisë. Një nga pikat më interesante të raportit ishte rrëzimi i pretendimit se Greqia po udhëhiqte një fushatë të gjerë kundër turizmit shqiptar. Aktivizimi në gjuhën greke ishte minimal (nën 1%) dhe rreth 20% e këtij aktiviteti të vogël rrodhi nga llogari që rregullisht shpërndanin propaganda shtetërore ruse, duke treguar se nuk bëhej fjalë për një fushatë shtetërore të Athinës, por për një tjetër tentativë amplifikimi oportunist rus. Për më tepër, ky aktivitet u përqendrua vetëm në një dritare 10-ditore, duke u përputhur me ngjarje reale në terren si vendimet e SPAK për ngrirjen e llogarive të investuesve në Sazan apo deklaratat publike të Ramës, gjë që vërteton se bëhej fjalë për reagime organike ndaj lajmeve dhe jo për një fushatë të strukturuar ndikimi.

Detajet

Sipas gjetjeve të raportit, burimi kryesor i kritikave ndaj projektit të Kushnerit nuk vinte nga armiqtë e supozuar gjeopolitikë, por nga brenda Shteteve të Bashkuara, ku llogari të lidhura me Partinë Demokrate amerikane dhe figura si Hunter Biden e shfrytëzuan çështjen e Zvërnecit për betejat e tyre të brendshme politike kundër familjes Trump. Ndikimi rus, të cilin qeveria e trumbetoi si rrezik madhor, u gjet se ishte pothuajse i papërfillshëm, me vetëm shtatë diskutime specifike të amplifikuara nga rrjetet ruse në një dataset prej gati 900 mijë postimesh. Gjithashtu, raporti përdor klasifikime tejet të gjera dhe të paqarta, duke grupuar llogari të ndryshme nën etiketa si “të lidhura me narrativat ruse” apo “me fokus nga Irani”, pa bërë dallimin e duhur mes koordinimit shtetëror të qëllimshëm dhe llogarive të individëve të thjeshtë që thjesht mbanin një qëndrim kritik. Ky trajtim bazohet në një aplikim spekulativ të asaj që njihet si “parimi i gurit me kështjellën”, ku përdoren 5-6 adresa private me më pak se 300,000 ndjekës gjithsej për të ngritur një akuzë të madhe për ndërhyrje gjeopolitike, pa marrë parasysh faktin se ky volum është tërësisht i papërfillshëm përballë miliona ndërveprimeve që gjenerohen organikisht.

See also  Sërish zjarr në pallatet ‘Kika’ te Komuna e Parisit/ Flakët përfshijnë apartamentin në katin e 6Metodologjia e gabuar

Pavarësisht përpjekjes për ta përdorur teknologjinë dhe inteligjencën artificiale si një mburojë kundër kritikave, ashtu siç u tentua edhe me ministren virtuale “Diella”, strategjia e qeverisë u kthye në një dështim. Analiza e Blackbird AI kishte mangësi të theksuara, pasi u përqendrua pothuajse vetëm te platforma X, e cila ka pak ndikim në Shqipëri, duke injoruar Facebook-un, Instagram-in dhe TikTok-un ku realisht ndodhi mobilizimi qytetar. Gjithashtu, raporti ishte i njëanshëm pasi analizoi vetëm narrativat “negative”, duke anashkaluar fushatat e mundshme të koordinuara nga vetë shteti për të sulmuar dhe denigruar aktivistët mjedisorë. Në fund, kjo përpjekje për ta kthyer një debat për ligjin dhe mjedisin në një çështje të sigurisë kombëtare vetëm sa minoi besimin e qytetarëve te institucionet. Raporti që duhej të shërbente si armë propagande, në fakt vulosi faktin se “Revolucioni i Flamingos” ishte një lëvizje e pastër, e sinqertë dhe plotësisht e bazuar në të drejtat demokratike të qytetarëve për të kërkuar llogari nga klasa e tyre politike.

Dështimi i shtetit

Në planin afatgjatë, përdorimi i këtyre metodave minon besimin e qytetarëve te institucionet demokratike dhe te vetë koncepti i sigurisë kombëtare. Duke e trajtuar çdo kritikë legjitime si një sulm të koordinuar nga Rusia, Irani apo Greqia, shteti rrezikon të humbasë aftësinë për të dalluar kërcënimet e vërteta gjeopolitike nga kërkesat e sinqerta të qytetarëve të tij për transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të pasurisë publike. sot.com

Të Ngjashme