Shëndetësi

Raporti i ri: Stresi dhe problemet e shëndetit mendor po prekin gjithnjë e më shumë punonjësit në botë

Sipas një raporti të ri, problemet e shëndetit mendor po rriten ndjeshëm mes fuqisë punëtore, e cila po përjeton nivele të larta stresi, po merr më shumë leje mjekësore dhe po kërkon mbështetje më të madhe nga punëdhënësit e tyre.

Studimi i kryer nga AXA dhe IPSOS në 16 vende përfshiu persona nga 18 deri në 75 vjeç, duke dhënë një panoramë shqetësuese mbi përkeqësimin e shëndetit mendor në mbarë botën, veçanërisht tek të punësuarit.

Anketuesit në vende si Belgjika, Kina, Franca, Gjermania, Hong Kongu, Irlanda, Italia, Japonia, Meksika, Filipinet, Spanja, Zvicra, Tajlanda, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA identifikuan pasigurinë financiare, mungesën e stabilitetit në punë dhe ekspozimin e vazhdueshëm ndaj lajmeve negative në media si faktorë që ndikojnë në mirëqenien e tyre mendore.

Depresioni dhe ankthi, shqetësimet kryesore

Një në tre të anketuar vuajnë nga të paktën një problem i shëndetit mendor, ku depresioni dhe ankthi janë më të përhapurit, pa asnjë përmirësim nga vitet e mëparshme.

Faktorë të rinj rreziku si ndryshimet klimatike dhe kërcënimet në internet po kontribuojnë gjithashtu në përkeqësimin e shëndetit mendor, duke shkaktuar eko-ankth, nivele të larta stresi dhe ndjenjë të përgjithshme pasigurie, tha Patrick Cohen, CEO i AXA European Markets & Health.

Stresi në punë, një shqetësim i madh

Anketa tregon se stresi në punë dhe vështirësitë në ruajtjen e ekuilibrit punë-jetë janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shëndetin mendor të punonjësve.

“Më shumë se gjysma e të punësuarve që anketuam raportuan një nivel stresi mbi mesataren gjatë dy javëve të fundit,” tha Cohen, duke shtuar se mbi 25% e punonjësve kanë marrë leje mjekësore për shkaqe të shëndetit mendor në vitin e fundit.

Në përgjithësi, lejet mjekësore për probleme të shëndetit mendor janë në rritje, duke përbërë tashmë 27% të totalit të lejeve në vitin 2024, një rritje prej 4 pikësh nga viti 2023. Në Francë, shëndeti mendor është bërë shkaku kryesor i lejeve afatgjata.

Të rinjtë, grupi më i prekur

Situata është edhe më alarmante te të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, ku lejet për probleme të shëndetit mendor arrijnë në 42%, ndërsa 85% e tyre raportojnë se preken nga ankthi, stresi ose depresioni.

“Këto të dhëna tregojnë një hendek të qartë gjeneracional në mirëqenien mendore, me të rinjtë që preken në mënyrë disproporcionale,” tha Cohen, duke theksuar se 44% e të rinjve e vetëdeklarojnë veten si persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, 12% më shumë se popullsia e përgjithshme.

Dy faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht tek të rinjtë janë përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale dhe ndjenja e vetmisë dhe izolimit. 52% e të rinjve besojnë se rrjetet sociale ndikojnë në shëndetin e tyre mendor, krahasuar me 36% të popullsisë së përgjithshme.

Nevoja për më shumë mbështetje në vendin e punës

Në këtë kontekst, raporti thekson se kompanitë duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për punonjësit e tyre.

“Ka një pritshmëri të përgjithshme që punëdhënësit të ofrojnë mbështetje për shëndetin mendor, por ka një hendek të madh midis asaj që pritet dhe asaj që ofrohet në realitet,” tha Nils Reich, CEO i AXA Global Health.

Sipas studimit, 47% e të anketuarve thanë se kompania e tyre ka politika specifike për mbështetjen e shëndetit mendor, ndërsa 52% dëshirojnë që këto politika të zbatohen në vendin e tyre të punës.

“Kur punëdhënësit marrin masa dhe nisin të flasin për këtë temë, ata mund të bëjnë një ndryshim domethënës për punonjësit e tyre, ndërsa luftojnë gjithashtu mungesat në punë dhe uljen e produktivitetit,” përfundoi Reich.

Të Ngjashme