Çdo hyrje dalje monitorohet.
Në oborrin e shkollës “Emin Duraku”, askush nuk mund të futet pa miratimin e stafit menaxhues.
Kjo ka bërë që ky institucion arsimor në kryeqytet të renditet ndër më të sigurtat.
Kjo u bë e ditur së fundmi në një raport të realizuar për sigurinë nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.
“Të them të drejtën e them më shumë modesti nuk ka asnjë të gjetur në shkollën ‘Emin Duraku’. Pjesa e rrugës kryesore që nuk është në domenin e shkollës por ka pesë vite kur kemi bërë presion duke përfshirë edhe mediat për lëvizjen e stacionit dhe kemi kërkuar që veturat mos të kenë akses me hy në oborrin e shkollës, ndërsa sa i përket sigurisë në shkollë, shkolla jonë i plotëson të gjitha kushtet dhe raportit që na u ka dorëzuar ka qenë një arritje për ne”, shprehet Visar Osmani-drejtor i shkollës “Emin Duraku”.
Ky rezultat, sipas Durakut, është arritur nga investimet e bëra në vitet e fundit.
“Kemi pasur para pesë viteve prioritet mbylljen e hyrjeve ilegale që kanë qenë gjithsej tetë hyrje ilegale që kanë funksionuar mbi 30-40 vjet…Ka qenë e mirë që në sferën e sigurisë të merret shembull shkolla jonë. Ne së fundmi e kemi digjitalizuar edhe portën kryesore që stafi të hyjë në mënyrë digjitale, ndërsa mysafirë nuk mund të hyjnë pa u detektuar”, thotë ai.
Madje ai është i gatshëm për bashkëpunime me cilëndo shkollë e cila dëshiron të marrë shembujt e mirë të saj.
“Më shumë modesti po them që jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më gjithë ata që kërkojnë të marrin shembuj të mirë të institucionit tonë dhe nuk kemi hezituar asnjëherë. Edhe kur kemi hy në reforma, kemi qenë të gatshëm me jep modele për shkolla tjera që kanë hy në reforma pas neve”, shprehet Osmani.
Në raportin e hartuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, është theksuar që mbi 50 % e shkollave në vend janë të pasigurta, dhe nevojitet ndërhyrje sa i përket sigurisë infrastrukturore, fizike dhe sigurisë së zjarrit.
