1
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 23 janarit 2026 në Sllatinë të Fushë Kosovës, ku një person është gjetur i gjakosur dhe në gjendje kritike, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
Sipas informacioneve që ka pranuar Sinjali, rreth orës 15:30, Policia ka pranuar njoftim se në rrugën e Pejës, afër “Villa Motel Pisha”, dyshohej se ndodhej një person pa shenja jete.
Njësia policore ka dalë në vendngjarje dhe ka konfirmuar se viktima kishte ende shenja jete, por ishte i gjakosur rëndë. Në vend ka intervenuar ekipi i QKMF-së, i cili i ka dhënë ndihmën e parë viktimës dhe më pas e ka dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Burime bëjnë të ditur se viktima është A.K., rreth 59-vjeçae i cili po trajtohet në QKUK dhe në momentin e pranimit raportohet se ishte pa vetëdije.
Në vendngjarje kanë dalë gjithashtu njësitë e hetimeve dhe forenzikës në Fushë Kosovë, ndërsa më pas edhe NJHP dhe Forenzika Rajonale, si dhe Prokurori kujdestar.
Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, viktima dyshohet se kishte shkuar në lokacion me veturën e tij me targa, së bashku me një person të panjohur, i cili dyshohet se është i përfshirë në rast dhe aktualisht gjendet në arrati. Në momentin kur kanë arritur njësitë policore, vetura nuk ishte më në vendngjarje.
Viktima dyshohet se është sulmuar me mjet të mprehtë, duke pësuar lëndime serioze në pjesën e fytit dhe kokës.
