Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se shkuarja në zgjedhje nuk do të ishte e dobishme duke pasur parasysh që vitin e kaluar vendi ka pasur katër palë zgjedhje.
Ai ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të gjithë do të jenë humbës para qytetarëve.
“Të gatshëm, por nuk shkojmë me kënaqësi, në veçanti duke ditur se në vitin e fundin kemi pasur tre palë zgjedhje ose katër dhe tani me nis me një vit i ri, i cili ka qenë me entuziazëm dhe optimizëm, prapë që të kthemi në formën e vjetër, konsideroj se të gjithë ne do të jemi humbës. Kur thamë humbës do të jemi para qytetarëve, sepse shumica e tyre do të ta konceptojnë se nuk kemi qenë serioz dhe i kemi zhgënjyer”, ka thënë Rashiq për Tëvë1.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 6 mars ka nxjerr dekretin për shpërndarjen Kuvendit, pasi në seancën e 5 marsit në mungesë kuorumi nuk u mbajt asnjë raund votimi për zgjedhjen e presidentit.
LVV e ka quajtur të jokushtetues dekretin e Osmanit, duke bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa, presidentja Osmani ka mbajtur takim me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja.
