Në një ngjarje që ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me realitetin, një grua ka mbetur shtatzënë pas praktikimit të seksit oral, pa pasur marrëdhënie seksuale vaginale. Ky rast i jashtëzakonshëm është bërë publik nga revista mjekësore British Journal of Obstetrics and Gynaecology, dhe ka ngjallur tronditje e kureshtje në opinionin publik dhe atë shkencor.
Protagonistja e këtij rasti vuante nga agenezia vaginale kongjenitale, një çrregullim i rrallë i lindur që karakterizohet nga mungesa ose zhvillimi jo i plotë i vaginës. Gratë me këtë gjendje nuk mund të kenë marrëdhënie seksuale vaginale dhe shpesh as cikël menstrual, për shkak të mungesës së plotë ose të pjesshme të uterusit dhe organeve të tjera riprodhuese.
Sipas raportit, gruaja në fjalë kishte kryer marrëdhënie seksuale përmes seksit oral me partnerin e saj, gjatë së cilës kishte gëlltitur spermën. Ajo nuk kishte pasur ndonjë kontakt tjetër seksual. Por disa çaste më vonë, pas një debati të ashpër me ish-partnerin e saj, ajo u qëllua me thikë në zonën e barkut, dhe përfundoi në spital në gjendje të rëndë.
Pas disa muajsh, gruaja u kthye në spital duke ankuar për dhimbje në bark, ku mjekët zbuluan me habi se ajo ishte shtatzënë. Pas analizave të hollësishme, u konstatua se sperma që ajo kishte gëlltitur kishte kaluar në kavitetin abdominal përmes plagës së shkaktuar nga thika. Pikërisht në atë moment, në përkim me ovulacionin, spermatozoidët kishin arritur të lëviznin drejt tubave të Falopit dhe të fekondonin një vezë.
Rasti përfundoi me një lindje të suksesshme përmes operacionit cezarian dhe tashmë është bërë pjesë e literaturës mjekësore si një shembull i jashtëzakonshëm i mënyrës sesi funksionon trupi i njeriut dhe sa të paparashikueshme mund të jenë ndonjëherë rrethanat e jetës.
