Lajme

Rasti i rëndë në Lipjan, prindërit e 5-vjeçarit mund të përfundojnë në paraburgim

17.03.2026 – 15:17

Rasti i rëndë në Lipjan, prindërit e 5-vjeçarit mund të përfundojnë në paraburgim

Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në Lipjan, ku pretendohet se prindërit e kanë keqtrajtuar një fëmijë.

Të dy prindërit kanë përfunduar në pranga, ndërsa i mituri aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në lidhje me këtë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, deklaroi se të dyshuarit (babai dhe nëna) e fëmijës janë ndaluar për 48 orë.

Shala deklaroi se rasti po hetohet si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “shkelje e detyrimeve familjare”.

“”Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy (2) persona për një periudhë prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare”, sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Lëndim i rëndë trupor”, sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të ofrojmë detaje të mëtejshme, pasi kjo mund të dëmtojë integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimeve”, deklaroi ajo.

17.03.2026 – 15:17

Plagë të rënda në këmbë dhe dyshime për keqtrajtim, QKUK deklarohet për rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani

Mirlinda Qyqalla nga ShSKUK ka dhënë detaje në lidhje me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, për të cilin ajo tha se nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF atje, siç tha, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, “të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze”.

Qyqalla tha se në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me vështirësi në komunikim, si dhe kishte dyshim për kequshqyerje.

“Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë”, tha ajo.

Duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, ajo bëri të ditur se janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin”, tha ajo.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, Qyqalla njoftoi se në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale.

Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe siç tha ajo, “është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”.

Të Ngjashme