Nga Joern Karstedt, BILD
Në burgun e Lajpcigut në Gjermani kanë ndodhur skena dramatike: Një dorëzim droge, i maskuar si puthje, përfundoi me vdekje. Gruaja që solli pakon fatale pritet të dalë së shpejti para gjykatës.
E dashura 24-vjeçare e të burgosurit 23-vjeçar kishte tentuar t’i kalonte atij metamfetaminë (“Crystal Meth”). Thuhet se Laura R. kaloi pa problem kontrollet e burgut të dytë më të madh në Saksoni. Ajo donte të vizitonte partnerin e saj, Mohamed R. – tunizian, i cili mbahej në paraburgim pikërisht për dyshime për tregti droge.
Ajo kishte disa gramë drogë, të mbështjellë me letër alumini, të fshehur nën gjuhë. Plani ishte që, gjatë puthjes, t’ia kalonte topth-in në gojë Mohamedit. Por puthja ishte kaq e vrullshme, sa 23-vjeçari e ka gëlltitur pa dashje drogën.
Tuniziani fillimisht nuk tregoi asgjë dhe u kthye në qelinë e tij pas vizitës rreth njëorëshe, duke shpresuar me gjasë që topthi të dilte vetë natyrshëm. Por autopsia e mëvonshme tregoi se paketa ishte hapur në stomak – dhe droga ishte përhapur në trup.
Në një mbidozë, fillimisht rritet shumë temperatura e trupit dhe shfaqen çrregullime të ritmit të zemrës, pastaj halucinacione, gjendje ankthi dhe konvulsione – dhe në rastin më të keq, ndodh arresti kardiak. Kjo i ka ndodhur Mohamed R.
Mëngjesin pas vizitës të së dashurës së tij – me të cilën ka edhe një vajzë 3-vjeçare – ai është gjetur i shtrirë në qeli. Mjeku i urgjencës e ka rikthyer në jetë për pak, por pasdite raportohet se ka ndërruar jetë.
Për “puthjen vdekjeprurëse”, 24-vjeçarja del para gjykatës më 18 dhjetor. Nëse shpallet fajtore, edhe vetë nëna e re mund të përfundojë në burg.


