Lajme

​Reagon Basha: Vendimi i Kushtetueses për Rashiqin, në kundërshtim me Kushtetutën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese.

Basha e ka cilësuar këtë vendim me gabime thelbësore dhe në shpërputhje me Kushtetutën.

Në reagimin e tij, Dimal Basha ka ka shkruar se aktgjykimi bie ndesh me Kushtetutën dhe përmban, sipas tij, interpretime të gabuara të Rregullores së Kuvendit, duke shtuar se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e saj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, reagon lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin përzgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar. Bashka

„Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse. E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat“, shkruan ai.

Sipas tij, Gjykata, në njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

„Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rašić nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rašić, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre“, thuhet në reagim.

Ai ka tha po ashtu se si Kryetar i Kuvendit, ka kërkuar tri herë radhazi që të propozohej deputeti i vetëm që nuk i ishte nënshtruar votimit për pozitën e nënkryetarit, mirëpo propozuesi i shumicës së deputetëve nga komuniteti serb refuzonte propozimin dhe kërkonte që të kthehej radha e votimit për deputetët e njëjtë nga subjekti Lista Serbe.

„Kërkesa e propozuesit nga komuniteti serb ishte që të tejkalohej (të diskriminohej) deputeti i dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, i cili kishte mbetur pa u propozuar si kandidat për nënkryetar asnjëherë të vetme. Ky diskriminim do të ishte antikushtetues, por madje edhe në kundërshtim me mekanizmin e debllokimit për propozim në më së shumti 3 herë të një kandidati sipas Aktgjykimit të datës 18.08.2025“, shkruan ai.

Pas kërkesës sime për tri herë radhazi për ta propozuar kandidatin Rašić – por që shumica serbe refuzoi ta bënte – ky mosveprim është konsideruar si refuzim i propozimit nga ana ime (pra mospropozim), pasi nuk kishte mundësi të interpretohej ndryshe. Për pasojë, kam aktivizuar procedurën e shortit, siç parashihet në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, i cili shprehimisht përcakton se: “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.”

„Rrjedhimisht, në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores, vazhduam me votimin për deputetin e vetëm të papropozuar. Ky votim rezultoi i suksesshëm, ku me 71 vota “për”, deputeti Nenad Rašić u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit“, shkruan ai.

Përfundimisht, sipas tij, zgjedhja e deputetit Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb. Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit.

„Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës“, shkruan ai.

Gjykata Kushtetuese, bëri të ditur se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme