Gresa Krasniqi, vajza e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të gjykatës në Hagë për dënim me 25 vite burgim ndaj Jakup Krasniqit.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve të Kosovës, Krasniqi e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka shprehur zhgënjimin e saj për dënimin e babait të saj, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer. Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë”, ka shkruar ajo.
Krasniqi ka thënë se vazhdon të besojë në pafajësinë e të akuzuarve, duke theksuar në veçanti bindjen e saj për pafajësinë e babait të saj.
“Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Krasniqi ka kritikuar ashpër edhe vetë gjykatën, duke e përshkruar atë si “të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale”. Këto janë vlerësime të saj për institucionin dhe vendimin e gjykatës.
Ajo ka mbrojtur gjithashtu rolin e UÇK-së në luftën e viteve 1998–1999, duke argumentuar se pjesëtarët e saj luftuan për mbrojtjen e popullatës shqiptare të Kosovës.
Në fund të reagimit, Krasniqi ka përcjellë një mesazh të shkurtër:
“Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi!./teve1.info/
