Në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, është realizuar me sukses heqja e një trupi të huaj brenda trurit të një pacienti.
Këtë e ka bërë me dije, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cila përmes mnjë postimi në rrjetet sociale shkruan se pacienti kishte pësuar një aksident dhe për pasojë një trup i huaj kishte mbetur në thellësi të trurit.
Koçiu tha se fatmirësisht pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Vështirësia e operacionit qëndronte në heqjen e këtij trupi të huaj pa shkaktuar dëmtime të trurit. Pas kryerjes së ekzaminimeve imazherike dhe laboratorike, pacienti iu nënshtrua operacionit i cili falë pajisjeve moderne që disponon salla e neurokirurgjisë, si Neuronavigatori, C-armi dhe mikroskopi, u bë e mundur heqja e trupit të huaj pa shkaktuar dëmtime tek pacienti”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për ekipin mjekësor të cilët morën pjesë në këtë operacion të vështirë.