Shëndetësi

Realizohet testi i parë i terapisë gjenike për rigjenerimin e qelizave

Testimi i parë i terapisë gjenike që synon rinovimin e qelizave, u realizua te një person me glaukomë.

Siç raportohet nga revista Nature në faqen e saj të internetit, eksperimenti u krye në Shtetet e Bashkuara nga një kompani private, Life Biosciences e Bostonit, me qëllim  aktivizimin e tre gjeneve të afta për të nxitur rigjenerimin e neuroneve në nervin optik, i cili lidh syrin me trurin dhe i cili dëmtohet tek njerëzit që vuajnë nga glaukoma.

Ishte e para nga 12 ndërhyrjet e planifikuara në provën klinike. Kompania shpreson të përfshijë, në të ardhmen, njerëz me neuropati optike iskemike anteriore jo-arteritike (NAION), një gjendje serioze që shkakton gjithashtu dëmtime në nervat okularë.

Terapia synon të riprogramojë vetëm pjesërisht qelizat e plakura, duke rikthyer karakteristikat e qelizave të reja pa humbur plotësisht identitetin dhe funksionin e tyre. Për ta bërë këtë, studiuesit do të përdorin vetëm tre nga katër gjenet që mund të manipulohen, për të rikthyer qelizat e rritura në një gjendje të ngjashme me qelizat staminale. 

Një virus që përdoret zakonisht në terapinë gjenike, përdoret si vektor për të dërguar gjenet në qeliza. Si një masë shtesë sigurie, sistemi është projektuar në mënyrë që gjenet të aktivizohen vetëm kur personi që trajtohet po merr një antibiotik të quajtur doksiciklinë: nëse antibiotiku ndërpritet, gjenet çaktivizohen.

“Kjo strategji na jep një shkallë të lartë kontrolli “, thotë Sharon Rosenzweig-Lipson, drejtoresha shkencore e kompanisë, “duke na lejuar të aktivizojmë dhe çaktivizojmë gjenet dhe të mos i lëmë ato aktive më gjatë seç është e nevojshme. Kompania po vazhdon me një sëmundje të lidhur me moshën në të njëjtën kohë”, shton Rosenzweig-Lipson: “Aktualisht nuk po punojmë për përtëritjen e të gjithë trupit. Shpresojmë të arrijmë atje një ditë, por ende nuk kemi arritur.”/ ANSA.

Të Ngjashme