Analisti politik Gani Qarri vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë rolin e Presidentit të vendit si figurë gjithëpërfshirëse, që përfaqëson unitetin e popullit dhe shtetin në arenën ndërkombëtare, e jo interesa partiake apo grupore.
Sipas Qarrit, presidenti apo presidentja “nuk ka funksion grupor dhe as mandat njëpartiak”, por është personalitet gjithështetëror, i cili duhet të angazhohet me dinjitet dhe përkushtim të plotë në përfaqësimin e Kosovës në politikën e jashtme.

Gani Qarri
Ai thekson se presidentja Vjosa Osmani e ka dëshmuar këtë rol në mënyrë të suksesshme, duke ndërtuar marrëdhënie të nivelit më të lartë me liderë dhe institucione ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ka krijuar raporte të shkëlqyera me udhëheqësit botërorë, nga shefi i NATO-s Mark Rutte, te kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, me të cilën arriti heqjen e masave shtrënguese të BE-së ndaj Kosovës”, shprehet Qarri.
Ai përmend edhe ftesën e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, ku Osmani, në ceremoninë e mbajtur në Davos të Zvicrës, nënshkroi pjesëmarrjen e Kosovës, duke e rreshtuar vendin në nivel të barabartë me shumë shtete të pavarura të botës. Duke folur për debatet rreth rizgjedhjes së presidentes, Qarri thotë se ndaj një personaliteti të dëshmuar si Vjosa Osmani nuk mund të refuzohet mandati me arsyetime të pabazuara politike.
“Pretendimet se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentes i takon vetëm një partie janë të paqëndrueshme”, vlerëson ai, duke iu referuar deklaratave të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Qarri shton se këto deklarata nuk duhet të merren seriozisht, pasi, sipas tij, aktualisht ato vijnë nga një udhëheqje provizore dhe nuk përfaqësojnë zërin unik të gjithë PDK-së, sidomos pas rezultatit dëshpërues në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe skandalit me votat e manipuluara.
Analisti rikujton se vetë Bedri Hamza ka deklaruar se PDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje të brendshme në pranverën e vitit 2026, proces që pritet të sjellë ndryshime edhe në kreun e partisë.
Në këtë kontekst, Qarri thekson se Vjosa Osmani mbetet personaliteti kryesor, e sipas tij edhe i vetmi, që aktualisht e përfaqëson me sukses të plotë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Pothuajse e vetme, me mungesë të theksuar të stafit diplomatik, ajo ka bartur barrën e përfaqësimit të shtetit dhe vetëm brenda vitit të kaluar i ka siguruar Kosovës katër njohje të reja”, deklaron Qarri.
Ai nënvizon se përfaqësimi i shtetit në një situatë globale të ngarkuar me luftëra dhe tensione kërkon dije, përvojë dhe balancë të jashtëzakonshme, cilësi që, sipas tij, Osmani i ka dëshmuar në vazhdimësi.
Qarri mbështet edhe qëndrimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i cili ka vlerësuar si të gabuar deklaratën e Bedri Hamzës se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon vetëm Lëvizjes Vetëvendosje.
“Funksioni i presidentit nuk është çështje partiake dhe as objekt pazaresh politike, por obligim kushtetues i gjithë spektrit politik”, ka theksuar Kryeziu, sipas Qarrit.
Në fund, analisti politik u bën thirrje të gjitha partive që, pa dallim përkatësie politike, të rreshtohen rreth një konsensusi të përbashkët për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, duke e konsideruar atë si garanci të unitetit të brendshëm dhe përfaqësimit dinjitoz të Kosovës në planin ndërkombëtar.
