ShowBizzz

Republika e komenteve

Shkruan: Nderim Neziri

Në Kosovë sot nuk ka mungesë mendimesh. Ka mungesë dëgjimi. Çdo njeri ka qëndrim, secili është ekspert, e shumica janë të bindur që po të ishin ata “aty”, punët kishin me shku më mirë. “A din ti sa lehtë është?”, thoshte njani në tavolinen karshi meje. Dhe aty, në tavolinë në kafe; zgjidhen krizat ekonomike, reformat në arsim dhe politika e jashtme, të gjitha për dhjetë minuta, pa fatura dhe pa përgjegjësi.

Moneytizer Paragrafi 2

Jetojmë në kohën e patriotizmit të tastierës. Flamuri në foto profili, sharja në komente dhe moralizimi selektiv janë bërë sport kombëtar. Krejt jemi “kundër korrupsionit”, por veç kur korrupsioni s’na përfshin neve. Krejt jemi për meritokraci, derisa nipi, mbesa apo shoku i klasës s’ka nevojë për një “shtytje të vogël”. Atëherë quhet ndihmë, solidaritet, njerëzi. Korrupsion është vetëm kur e bën tjetri.

Politika, natyrisht, është fajtori ideal. E shajmë, e përqeshim, e përdorim si alibi për çdo dështim personal. Nuk na ecë puna? Shteti. S’po lexojnë fëmijët? Ministria. S’kemi durim, disiplinë, as ndjenjë minimale për të mirën publike? Prapë shteti. Sikur shteti të ishte ndonjë krijesë abstrakte që ka rënë nga qielli, e jo një pasqyrë shpesh e shëmtuar e vetes sonë kolektive.

Moneytizer Paragrafi 4

Ironia më e madhe është se ankohemi për mungesë standardesh, ndërsa i shkelim ato me një lehtësi të frikshme. Duam rregull, por vetëm për të tjerët. Duam ligj, por me përjashtim personal. Një shtet serioz me qytetarë që seriozitetin e shohin si bezdi.

Nuk është ky një shkrim pesimist. Është një kujtesë pak e hidhur. Sepse Kosova nuk e ka problem mungesën e potencialit, por mungesën e sinqeritetit me veten. Derisa të pranojmë që ndryshimi nuk fillon në Facebook, as në kafe, as vetëm në zgjedhje, por në mënyrën si sillemi kur s’na sheh askush, do të mbesim republika e komenteve: me zë të lartë, me mendime të forta dhe me rezultate të dobëta.

E tash, mund ta ndani këtë shkrim, ta pëlqeni ose ta shani. Jemi mësuar.

 



ks

Të Ngjashme