Shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leotrim Retkoceri, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ka kritikuar gjendjen financiare në kryeqytet dhe ndërprerjen e shërbimeve publike, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar.
Retkoceri tha se ndërprerja e transportit publik dhe e shërbimeve të tjera vetëm sa e vështirëson më shumë jetën e qytetarëve.
“Ndërprerja e shërbimeve publike, përfshirë transportin publik, veçse e rëndon më shumë jetën e qytetarëve të Prishtinës dhe punëtorëve të ndërmarrjeve publike. Dikush për këtë situatë duhet të marrë përgjegjësi,” deklaroi ai.
Ai theksoi se PDK-ja do të votojë për të dy pikat e rendit të ditës: bartjen e mjeteve nga viti 2025 në 2026 dhe buxhetin e vitit 2026.
“Grupi i asamblistëve të PDK-së mbetet i vendosur të kontribuojë për zhbllokimin e kësaj gjendjeje, për mandatin 2021–2025,” tha Retkoceri.
Duke folur për krizën financiare, ai u shpreh se situata në Prishtinë po përkeqësohet nga mosmarrëveshjet politike.
“Kokëfortësia dhe përplasjet politike nuk i zgjidhin problemet e qytetarëve, por i rëndojnë ato. Ndëshkimi i një qyteti të tërë për shkak të mosarritjes së objektivave politike nuk duhet të tolerohet,” theksoi ai.
Retkoceri shtoi se bartja buxhetore nga viti 2024 në 2025 duhet të ketë një qëllim të qartë.
“Kjo bartje mund të paraqesë një zgjidhje të përkohshme, por është e domosdoshme të dihet nëse shërben për t’i rikthyer shërbimet esenciale në kryeqytet,” u shpreh ai.
Në lidhje me buxhetin e vitit 2026, ai tha se dokumenti aktual nuk e mbulon tërësisht dëmet e shkaktuara gjatë vitit 2025.
“Buxheti i vitit 2026 nuk adreson të gjitha pasojat që mund të jenë shkaktuar gjatë vitit 2025. Kjo çështje duhet t’u lihet mandatarëve të rinj të Kuvendit Komunal, të certifikuar më 21 dhjetor 2025,” përfundoi Retkoceri.


