Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat në vendvotimet e 28 komunave, pas identifikimit të dallimeve të mëdha në rezultatet për kandidatët për deputetë.
Fillimisht, KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10% e vendvotimeve në 28 komuna, ndërsa në 10 komuna tjera ishte planifikuar rinumërim i plotë.
Vendimi i 19 janarit erdhi pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u konstatuan dallime të konsiderueshme në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Mirëpo, pas zbulimit se devijimet në vota ishin shumë të mëdha, partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan që rinumërimi të zgjerohej për të gjithë komunat e prekura, duke argumentuar se vetëm një rinumërim i plotë mund të sigurojë besueshmëri të procesit zgjedhor.
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se sipas raportit të rinumërimit të pjesshëm, dallimet në votat për partitë politike janë minimale dhe “të papërfillshme”, ndërsa te kandidatët për deputetë shkalla e pasaktësisë është e konsiderueshme.
Ai e përmendi Prizrenin si rastin më ekstrem, ku 20.343 vota janë ndryshuar gjatë rinumërimit. Në komunat e tjera, sipas Radoniqit, nuk janë konstatuar devijime të mëdha.
Anëtarët e partive politike në KQZ përkrahën rekomandimet për rinumërim të plotë dhe kërkuan të garantohet përgjegjësi ligjore për devijimet e rezultatit.
Çfarë nënkupton ky vendim?
Rinumërimi i plotë mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar për kandidatët, sidomos në zonat ku u vërejtën devijime të mëdha. Ai gjithashtu dërgon një mesazh të qartë për publikun dhe partitë politike: institucionet janë të gatshme të ndërhyjnë për të ruajtur transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, dhe çdo devijim duhet të ketë përgjegjësi ligjore.
Ky vendim synon të forcojë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe të dëmtojë çdo dyshim për manipulime apo gabime sistematike, duke treguar se KQZ është e gatshme të veprojë edhe kur shqetësimet lidhen vetëm me kandidatët individualë dhe jo me partitë politike në tërësi.
Bukuroca: Rezultati i zgjedhjeve nuk do të jetë i njëjtë dhe ndryshimet mund të jenë dramatike
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, ku tha se ky manipulimi i madh ne vota, tregon qartë se rezultati i zgjedhjeve do ndryshojë dhe mund të jetë dramatik.
Sipas tij, kjo lë hapësirë për dyshime se edhe në muajin shkurt mund të ketë pasur vjedhje masive.
“Dallimet e rinumërimit që dolën tani tregojnë se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë vepruar ashtu si dinë më mirë. Për fat të keq, me përqindje më të vogël, por edhe Vetëvendosja është prekur.
Këto janë dëshmi konkrete, fakte që mund të lexohen qartë: rezultati i zgjedhjeve nuk do të jetë i njëjtë dhe ndryshimet mund të jenë dramatike. Nuk është çudi nëse koalicioni i Kurtit fiton mbi 55%!
Ato të dhëna nuk janë thjesht numra; ato pasqyrojnë gjendjen aktuale, por njëkohësisht dëshmojnë se çfarë vjedhjeje industriale ka ndodhur edhe në muajin shkurt”, deklaroi ai.
Po ashtu, ai foli edhe për transparencën e këtij rinumërimin, e që sipas tij është vështirë të thuhet diçka për këtë.
“Sa i përket transparencës së këtij rinumërimi, është shumë e vështirë të jepet një vlerësim i sigurt. Duke qenë se tashmë janë evidentuar raste të shumta ku numri i votave ka ndryshuar, nuk mund të thuhet me siguri të plotë se edhe në mesin e rinumëruesve aktual nuk ka individë që marrin guximin t’i “korrigjojnë” votuesit dhe t’i dërgojnë diku tjetër votat e “analfabetëve”!”
Në vazhdim, publicisti tha se ky skandal ka shpërfaq fytyrat e vërteta të partive politike, e që sipas tij vjedhjet nuk janë risi për këto të fundit.
Madje, beson se me këtë iu ranë maskat disave.
“Ky rinumërim, në fakt, e ka zbuluar qartë profilin e partive politike në Kosovë. Ua hoqi maskat! Ai tregon se si kanë qeverisur ato në të kaluarën dhe se si do të qeverisnin përsëri nëse do ta merrnin pushtetin.
Vjedhjet e mëdha nuk janë risi për këto parti; ato janë thjesht vazhdimësi e një praktike të mëhershme. Ato e urrejnë shtetin ligjor: Vettingun dhe Byronë për Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ato e dinin se shpëtim nuk kishin, pos vjedhjes. Sepse vjedhja i ngriti, dhe vjedhja i fundos, i burgos! Apo i kthen në atë që ishin dikur!
Këto tri parti sot nuk i ngjajnë më partive politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; ato më tepër i ngjajnë klaneve parapolitike, të cilave nuk u intereson shteti ligjor, por vetëm mundësia për t’u pasuruar. Dhe ajo pasuri nuk mund të mbrohet pa vjedhur vota”, shpjegoi Bukuroca.
Ndër të tjera, ai shtoi se, edhe një pjesë e disa mediave e gazetarëve kanë mbështetur partitë opozitare, vetëm për ta sulmuar Kurtin.
“Po ashtu, një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe mediat e korruptuara që i kanë mbështetur ato parti. Në fund, ato kanë humbur pothuajse po aq sa vetë partitë politike, sepse për pesë vite rresht investuan ndikim dhe energji për ta poshtëruar dhe për ta paraqitur si të pa votueshëm Albin Kurtin.
Sot, karteli i mediave dhe gazetarët e pasur ndihen të rrezikuar, mu njësoj si liderët e partive opozitare!” – përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
Zogaj: Këtë herë u pa qartë se partitë politike kanë të instaluara brenda tyre rrjete kriminale
Kurse, publicisti Skënder Zogaj zbulimin e vjedhjeve të votave e cilësoi si një skandal të madh dhe akt kriminal shumë të rëndë.
“Rinumërimi i votave në disa vendvotime ka zbuluar një skandal jashtëzakonisht të rëndë, që kapërcen çdo kufi të absurditetit tragjik për Kosovën dhe popullin e saj, në të gjitha dimensionet e jetës shorore.
Manipulimi me votën është një akt kriminal më i rëndë se çdo shkelje tjetër, sepse godet drejtpërdrejtë shpresën e qytetarëve dhe përdhos idealin e çlirimit, të lirisë dhe të shtetformimit të Kosovës — ideal për të cilin bota demokratike është përpjekur dhe po përpiet e jetësojë, ndërsa partitë tona politike po e rrënojnë mizorisht”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” mirëpriti vendimin për rinumërimin e plotë të votave, por që kërkoi që KQZ të mbajë përgjegjësi për këtë.
Sipas tij, KQZ ka dështuar në punën dhe përgjegjësitë që ajo i ka.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jo vetëm që është i detyruar të rinumërojë votat, por duhet edhe të mbajë përgjegjësi të plotë. Para dhe gjatë zgjedhjeve, KQZ-ja rrihte gjoks se gjithçka po zhvillohej në mënyrën më të mirë të mundshme; sot, megjithatë, po del në pah se realiteti ka qenë skëterrë. Atëherë, për çfarë është formuar KQZ-ja? Për të bërë debate demagogjike dhe deklarata të rreme?! Është e qartë se detyra nuk është kryer si duhet: KQZ-ja ka dështuar dhe duhet të japë përgjegjësi”.
Me tej, publicisti tha se rinumërimi duhet të bëhet me transparencë të madhe dhe staf të ri.
Madje, këtë herë potencoi se, u vë në pah që se partitë politike kanë të instaluara brenda tyre rrjete kriminale.
“Rinumërimi duhet të jetë i plotë, në të gjitha komunat, me staf të ri dhe nën transparencë të plotë publike. Përndryshe, mashtruesit do të mashtrojnë sërish. Fakti që dallimet në rezultate janë kaq të mëdha dëshmon se rrjeti kriminal ka qenë i mirë-organizuar dhe se ka shkatërruar procesin zgjedhor, duke dëmtuar rëndë edhe imazhin e Kosovës.
Këtë herë u pa qartë se partitë politike kanë të instaluara brenda tyre rrjete kriminale, të cilat veprojnë armiqësisht ndaj shtetit për të realizuar interesat e individëve të pamoralshëm, që nuk kursejnë asgjë për përfitime personale”, shtjelloi Zogaj.
Në fund, ai kërkoi që institucionet e drejtësisë të veprojnë shpejt dhe të marrin masat dhe shqiptojnë dënimët e duhura.
“Drejtësia duhet të veprojë pa hezitim dhe të godasë pa mëshirë jo vetëm falsifikuesit e votës, por edhe ata që nuk e kanë kryer detyrën e tyre, që kanë mbyllur sytë dhe kanë lejuar shkeljet.
Mesazhi më i qartë dhe më i drejtë për partitë politike, e sidomos për kandidatët manipularë që kanë prekur procesin zgjedhor është një:
Turp! Turp! Turp!”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.


