Lajme

Richard Grenell dhe djali i Donald Trump bashkojnë forcat me Bleona Qerretin, takim me shqiptarët e Amerikës për t’i kërkuar votat

Richard Grenell, Donald J Trump Jr dhe Kimberly Guilfoyle, tre personazhe tepër të njohur mes republikanëve në SHBA, do të zhvillojnë një takim me shqiptarët e amerikës, në kuadër të fushatës për t’i bindur ata të votojnë Donald Trump.

Takimi do të mbahet me komunitetin e shqiptarëve në Detroid, të mërkurën më datë 18, me ndihmën e këngëtares Bleona Qerreti, të cilën e kemi parë pranë Grenell edhe në momente të tjera.

Ylli Limani do të jetë aty për të performuar muzikën e tij për shqiptarët, teksa Grenell dhe djali i ish-presidentit amerikan do të kërkojnë votën e shqiptarëve.

Ish-i dërguari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Grenell është një personazh kontrovers në sytë e shqiptarëve, shpesh i akuzuar për lidhjet e tij të “nëndheshme” me personazhe të dyshimtë në Beograd dhe më tej.

Donald J Trump Jr, djali i Donald Trump po ashtu do të jetë i pranishëm në këtë takim. Ai është tepër aktiv në fushatën e babait të tij, si në rrjetet sociale dhe në terren.

E pranishme në këtë takim do të jetë edhe Kimberly Guilfoyle, ish- prokurorja e Los Angelesit, dhe ish-bashkëshortja e guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom.