Tre vjet pas vrasjes, procesi po zhvillohet në Gjykatën Kantonale. Avokati vë në dyshim profesionalizmin e gjyqtares. Procesi ndaj kosovarit mund të përsëritet
E martë, 12 Nëntor 2024 – 19:40albinfo.ch
Tre vjet më parë, një sherr vdekjeprurës kishte tronditur skenën e festës në St.Gallen. Këtë të hënë (dje), i pandehuri kryesor është dashur të përgjigjet para Gjykatës Kantonale, transmeton albinfo.ch. Ndërkohë që ai kërkon uljen e dënimit, prokuroria publike e St.Gallen kërkon të rrisë dënimin.
Një sherr përballë Bar Caliente u përshkallëzua në atë masë sa një 38-vjeçar domenikan pësoi disa plagë me thikë dhe prerje. Për shkak të humbjes së madhe të gjakut, ai vdiq në spital dy ditë më vonë.
Kosovari tani 42-vjeçar ulet në bankën e të akuzuarve me kokën ulur, me duar të kryqëzuara. Ai mbahet i burgosur në institucionin korrektues Pöschwies që nga tetori 2021.
Në tetor 2023, gjykata e qarkut St.Gallen dënoi pesë persona që ishin përfshirë në zënkën fatale në Brühlgasse. 42-vjeçari mori dënimin më të lartë në atë kohë. Sepse është ai që sipas prokurorit publik mban përgjegjësi për vdekjen e 38-vjeçarit, babait të një vajze.
Ai ishte zënë verbalisht me një tjetër të ftuar të festës në Bar Caliente. Ky i fundit doli edhe para gjykatës kantonale të hënën për shkak se kishte apeluar dënimin e tij për tentativë të shumëfishtë të lëndimit të thjeshtë trupor, grindje dhe shkelje të Ligjit për Narkotikët, shkruan Tagblatt.ch. Prokuroria publike kërkon që ankesa të hidhet poshtë.
Situata është përshkallëzuar para lokalit me disa persona të përfshirë. Mes tyre ishte edhe viktima e mëvonshme. Kur një shishe qelqi fluturoi drejt të pandehurit kryesor dhe shoqëruesve të tij, të cilët ndodheshin aty pranë, ata iu afruan vendit të ngjarjes.
Viktima e mëvonshme ka nisur një debat me kosovarin dhe e ka goditur disa herë me grushte. Kështu të dy kanë filluar të rrihen me njëri-tjetrin, përcjell albinfo.ch. I pandehuri i dytë filloi të gjuante karrige në drejtim të domenikanit, i cili nga ana e tij mori një karrige dhe e hodhi atë mbi kokën e të pandehurit.
Ndërsa dy të tjerët ishin duke “luftuar”, siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri kryesor iu afrua 38-vjeçarit dhe e goditi atë në pjesën e sipërme të trupit dhe në krahun e djathtë me tehun e një “thike shumëfunksionale”. I pandehuri kryesor ka goditur me thikë dhe ka prerë viktimën disa herë në intervale të ndryshme – ndërkohë që përleshja ka vazhduar të përshkallëzohet. Ai ka goditur veçanërisht pjesën e sipërme të krahut të djathtë dhe pjesën e sipërme të trupit.
Teksa 38-vjeçari tentoi të ikte, ai u pengua dhe u rrëzua në tokë. I pandehuri kryesor dhe shoqëruesit e tij e shkelmuan burrin e gjakosur dhe e goditën përsëri me një karrige. Kur ai ka tentuar të ikte sërish, kosovari e ka mbajtur 38-vjeçarin dhe e ka goditur me thikë nga pas.
Tashmë 42-vjeçari dhe shokët e tij janë arratisur ndërsa viktima është tërhequr zvarrë deri tek pusi. Pavarësisht ndihmës së parë nga mjekët dhe një operacioni urgjent, 38-vjeçari vdiq dy ditë më vonë në Spitalin Kantonal St.Gallen.
I akuzuari është dënuar edhe me dëbim nga vendi
Në nëntor 2023, Gjykata e Qarkut e St.Gallenit e shpalli fajtor të pandehurin kryesor për vrasje me dashje dhe shantazh. Ai u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg, duke marrë parasysh 51 ditë paraburgim dhe dënimin e parakohshëm që nga tetori 2021. Që atëherë ai ka qenë në institucionin korrektues Pöschwies, transmeton albinfo.ch. Gjykata e Qarkut St.Gallen po ashtu kishte shpallur vendimin për dëbim të kosovarit nga vendi për dhjetë vjet. 42-vjeçari duhet të paguajë edhe shpenzimet procedurale mbi 66 mijë franga.
Me ankesën e tij i akuzuari kërkon që ai të shpallet fajtor për tentativë për lëndim të thjeshtë trupor dhe në tentativë dhe të dënohet me burgim me kusht. Dëbimi nga vendi duhet të shmanget. Prokuroria publike, nga ana tjetër, kërkon në ankesën e saj vijuese që i akuzuari të dënohet me 18 vjet burg dhe të dëbohet nga vendi për 15 vjet.
Duke qenë se 42-vjeçari flet kryesisht vetëm shqip dhe italisht, ai komunikon gjatë seancës me ndihmën e një përkthyesi. Babai i dy fëmijëve ka shprehur pendesë gjatë marrjes në pyetje. Ai përsëriste vazhdimisht se “nuk e kishte dashur të ndodhte kurrë kjo” dhe se do të donte ta kthente kohën pas.
As ai nuk e di pse erdhi deri te kjo. Ai ka theksuar disa herë se nuk mbante mend asgjë. Arsyeja për këtë është se ai u largua në atë kohë nga frika. Ai nuk mund të thoshte se ku ishte arma e vrasjes sot.
Procesi kërcënon të përsëritet
Avokati i tij mbrojtës vuri në dyshim profesionalizmin e marrjes në pyetje nga një gjyqtare dhe paraqiti kërkesën për përjashtim të saj. Kjo mund të çojë në përsëritjen e procesit të paktën pjesërisht përpara Gjykatës Kantonale.
Avokati tha se nuk e ka parë në video incizimin e incidentit numrin e përmendur prej njëmbëdhjetë goditjeve me thikë që klienti i tij thuhet se ka kryer. Ai kritikoi gjithashtu ashpërsinë e vendimit të Gjykatës së Qarkut veçanërisht pasi 42-vjeçari nuk kishte asnjë dënim të mëparshëm përpara krimit, përcjell albinfo.ch. Mbrojtësi po ashtu theksoi se klienti i tij në shenjë pendimi i dëgon vajzës së të ndjerit 30 franga në muaj.
Prokurori mohoi se i pandehuri kryesor nuk e dinte se çfarë rrezikonte. Ai kishte thënë disa herë se “gjëra të këqija” mund të ndodhin në sulme si të tijat. Ai ka sulmuar tashmë të ndjerin, ndonëse nuk ishte sulmuar nga ai. Po ashtu ai mund të ishte larguar nga vendi i ngjarjes në çdo moment.
Vendimi i Gjykatës Kantonale është ende në pritje.
https://www.albinfo.ch/gjykohet-kosovari-per-vrasjen-e-domenikanit-ne-st-gallen/