Familja e veprimtarit të ndjerë Haki Imeri ka reaguar me një deklaratë të ashpër ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e saj për të vazhduar përfaqësimin e shtetit.
Në reagimin e tyre publik, familja Imeri thekson se për një kohë të gjatë e kanë mbështetur Osmanin “pa hezitim dhe pa rezervë”, por sipas tyre kjo mbështetje nuk mund të jetë e përhershme kur, siç thonë, zhgënjimi bëhet i qartë.
Sipas deklaratës, momenti i kthesës ka qenë kur, sipas tyre, është krijuar përshtypja se presidentja po vepron “në sinkron” me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell, duke ngritur dyshime për qëndrimet e saj politike.
Familja Imeri shpreh gjithashtu kritika edhe për atë që e quajnë “paradoks politik”, duke iu referuar pjesëmarrjes së Osmanit në një miting të veteranëve kundër Gjykatës Speciale, ndërkohë që, sipas tyre, ajo më parë kishte lobuar dhe votuar për themelimin e saj. Në deklaratë thuhet se “të votosh diçka dhe më pas të luftosh kundër saj për konsum politik është kërcënim ndaj së vërtetës dhe zbardhjes së vrasjeve politike”.
Në reagim përmendet edhe çështja e ndarjes së informacioneve konfidenciale shtetërore, duke iu referuar një deklarate publike të kryeministrit shqiptar Edi Rama, që sipas familjes Imeri është bërë në prani të Osmanit.
Familja e veprimtarit të ndjerë shtron gjithashtu pyetjen nëse presidentja ka ende kredibilitet për ta përfaqësuar Kosovën dhe sugjeron se, nëse vërtetohen shkelje kushtetuese apo vendime të paligjshme, atëherë duhet të ndiqen procedurat institucionale për shkarkimin e saj.
“Nëse jo shkarkimi, atëherë pensionimi politik do të ishte rruga më e butë”, thuhet në deklaratë.
Në fund të reagimit, familja Imeri kritikon edhe mbështetjen që, sipas tyre, Osmani po merr nga figura të caktuara politike dhe mediatike, duke përmendur edhe analistin Baton Haxhiu.
“Politika është e pamëshirshme: kur fillojnë të bien gjethet, zakonisht do të thotë se stina ka ndryshuar”, përfundon reagimi i familjes së Haki Imeri.
Reagimi i plotë:
-Ne e kemi mbështetur Vjosa Osmanin për një kohë të gjatë.
-Pa hezitim. Pa rezervë.
-Por mbështetja nuk është e përjetshme kur zhgënjimi bëhet i qartë.
-Në momentin kur u kuptua se ajo po vepron në sinkron me Edi Ramën, Richard Grenellin dhe rrjete politike që kanë agjenda të dyshimta ndaj Kosovës, kredibiliteti i saj filloi të zbehet..
– Kur një lidere e Kosovës përfundon në të njëjtën vijë me njerëz që shpesh kanë qenë në krah të Aleksandar Vuçiçit, atëherë pyetjet bëhen të pashmangshme..
-Pastaj vjen paradoksi tjetër: koketimi saj me ata qe dikur kishin djegur flamurin e Rugoves (pjesemarrja e saj me veterante ne mitingun kunder drejtesise eshte e pa presedent!)
-Një gjykatë për të cilën vetë ka lobuar dhe ka votuar. Ky është standardi i ri politik me disa ftyra ?
– Të votosh diçka dhe pastaj të bësh luftë kundër saj për konsum politik, eshte kercenim ndaj te vertetes dhe zbardhjes se vrasjeve politike .
-Më e rënda është kur në këtë lojë politike përfshihen edhe informacione konfidenciale të shtetit.
– Vetë Edi Rama e ka deklaruar publikisht këtë mu ne prezencen e Vjosa Osmanit ..
-Kur informacione të shtetit ndahen me njerëz që jane aleate të Serbisë, atëherë nuk kemi më vetëm debat politik.
– Kemi problem serioz shtetëror.
-Prandaj sot pyetja nuk është më nëse Vjosa Osmani duhej të rikandidohej.
-Pyetja është nëse ajo ka ende kredibilitet për ta përfaqësuar Kosovën, dhe nese te gjitha keto shkelje te kushtetutes plus nese dekreti i saj eshte i pa ligjshem e personal ajo duhet shkarkuar me procedure te shpejte .
-Pensionimi politik do të ishte rruga më e butë. Shkarkimi do të ishte rruga më institucionale.
-Është e kuptueshme që disa ende duan ta shohin atë në atë pozitë.
-Por duhet parë me kujdes se ku e ka vendosur veten për rikandidim: në pazarin politik të Edi Ramës dhe Baton Haxhiut.
– Dhe kur një presidente e Kosovës hyn në pazare të tilla, problemi nuk është më vetëm personal.
– Bëhet problem i shtetit.
-Ironia është edhe më e madhe kur sheh se kush po e mbështet sot.
– Shumë prej atyre që dje e sulmonin pa mëshirë, sot janë bërë mbrojtësit e saj më të zhurmshëm.
– Kjo nuk quhet ndryshim mendimi. Kjo quhet rekrutim publik i një figure politike që ka filluar t’i bien gjethet.
-Politika është e pamëshirshme: kur fillojnë të bien gjethet, zakonisht do të thotë se stina ka ndryshuar.
