BBV

Rinumërimi trondit partitë: Shtimi i votave zbulon “luftën” e brendshme

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah ndryshime të mëdha në rezultatin personal të disa kandidatëve për deputet, ku në disa raste është konstatuar rritje e ndjeshme e numrit të votave. 

Deri më tani procesi i rinumërimit ka përfunduar në 19 komuna dhe janë numëruar 316 vendvotime nga gjithsej 914 sosh.

Kjo situatë ka  ngritur dyshime për manipulime të brendshme dhe përplasje të fshehta për kontrollin e mandateve.

Analisti politik, Nexhat Haziri vlerëson se ajo që po del nga rinumërimi i votave është alarmuese dhe tregon se problemi nuk qëndron vetëm te administrimi teknik i zgjedhjeve, por edhe te funksionimi i brendshëm i partive politike.

Sipas tij, fakti që disa kandidatë po fitojnë dhjetëra apo qindra vota shtesë pas rinumërimit nuk mund të shihet si gabim i rastësishëm.

“Këto ndryshime të mëdha në vota tregojnë se brenda subjekteve politike ka pasur manipulim serioz të votës. Nuk bëhet fjalë për gabime teknike, por për ndërhyrje të qëllimshme, ku votat e kandidatëve janë devijuar brenda listave partiake”, vlerëson Haziri.

Ai thekson se ky fenomen dëshmon ekzistencën e një “lufte të brendshme” brenda partive politike, ku grupime të caktuara përpiqen të favorizojnë emra të caktuar në dëm të të tjerëve.

“Kjo është një betejë e brendshme për pushtet dhe mandate. Në shumë raste, nuk luftohet kundërshtari politik, por kolegu brenda partisë. Rinumërimi po e zbërthen këtë realitet dhe po tregon se vjedhja e votës nuk ndodh vetëm mes partive, por edhe brenda tyre”, shprehet analisti.

Sipas Hazirit, ky proces po e dëmton rëndë besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor dhe në demokracinë e brendshme partiake.

“Kur qytetarët shohin se vota e tyre manipulohet brenda partisë për interesa klanore, kjo e rrënon besimin në procesin demokratik. Partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi direkte për këtë gjendje”, thekson ai.

Ai shton se rinumërimi i votave, ndonëse i vonuar, po shërben si mekanizëm i domosdoshëm për të nxjerrë në pah parregullsitë që përndryshe do të mbeteshin të fshehura.

“Ky proces është i dhimbshëm për partitë, por i domosdoshëm për demokracinë. Ai po e zbulon një problem serioz që lidhet me mungesën e transparencës dhe kontrollit të brendshëm në subjektet politike”, vlerëson Haziri.

Në fund, analisti paralajmëron se nëse këto dukuri nuk adresohen seriozisht, zgjedhjet e ardhshme mund të prodhojnë kriza edhe më të thella politike.

“Nëse nuk reformohen proceset e brendshme partiake dhe nuk ndëshkohen përgjegjësit për manipulim, rinumërimi do të mbetet vetëm një zgjidhje e përkohshme, ndërsa problemi do të përsëritet”, përfundon Haziri për “Bota sot”.