Lajme

Rishfaqet Navalny me një postim ironik nga qelia e re në Arktik

Mesazhi i tij në rrjetin social X, dikur i njohur si Twitter, erdhi një ditë pasi anëtarët e ekipit të tij thanë se kishin arritur ta gjenin vendndodhjen e tij pas disa javësh humbje kontakti.
Navalny mbahej më parë në rajonin Vladimir, në lindje të Moskës, ndërsa tani gjendet në Kharp, në rajonin Yamal-Nenets, një zonë e njohur për dimrat e ashpër.

Navalny shkruajti se ishte transportuar me masa kaq të shumta dhe përgjatë një trajektoreje aq të çuditshme, sa që nuk mendonte se do të bëhej e ditur vendndodhja e tij deri në janar.

Kira Yarmysh, një zëdhënëse e zotit Navalny, tha të hënën se avokati i tij ishte lejuar ta takonte në objektin e ri. Ajo tha se largimi i zotit Navalny në vendndodhjen e re synon izolimin e tij.

“Alexei, megjithëse mbahet në burg, vazhdon të jetë kundërshtari kryesor i Vladimir Putinit. Ai është personi që i reziston më shumë se çdokush tjetër dhe kështu motivon të tjerët që të rezistojnë. Prandaj nuk është befasi që e transferuan tashmë në një tjetër burg, që të mos ia ndalojë dot Putinit të bëjë fushatën elektorale dhe në vazhdim të manipulojë edhe zgjedhjet”, tha zonja Yarmysh.

Navalny u arrestua në vitin 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku u kurua pas helmimit me një agjent nervor, për të cilin ka fajësuar Kremlinin. Ai i ka refuzuar të gjitha akuzat ndaj tij si të motivuara politikisht./VOA

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo