Hyrja e poetes Mimoza Ahmeti në reality show-n “Ferma VIP” ka sjellë reagime dhe debate të shumta në publik. Një prej zërave më kritikë ka qenë artisti Robert Aliaj, i cili nuk i ka kursyer komentet e ashpra ndaj saj.
Gjatë një deklarate të fundit, Aliaj u shpreh se të qenit poet nuk nënkupton domosdoshmërisht të qenit intelektual. Sipas tij, një intelektual i vërtetë nuk duhet të bëjë kompromise me vulgaritetin dhe as të bëhet pjesë e formateve që ai i konsideron të papërshtatshme.
“Të jesh poet nuk është kusht se je intelektual. Këtë duhet ta ndajmë! Intelektualët nuk bëjnë kompromise me vulgaritetin. Intelektuali është një zgjedhje në jetë, është, si të thuash, ADN-ja jote”, deklaroi artisti.
Robert Aliaj vijoi më tej duke theksuar se një person që ka ndërtuar ndër vite një figurë publike dhe intelektuale nuk duhet, sipas tij, ta cenojë atë për arsye financiare.
“Nuk bën dot siç duan të tjerët, të bëhesh si të tjerët. Aty dallohet një intelektual! Nuk duhet të jetë pjesë e llumit. Për mua nuk shkon që një njeri, i cili ka ndërtuar diçka në publik, të shitet për lekë”,përfundoi ai.
