Gjilan – Emri i Haki Demirit, i njohur gjerësisht si Haki Shqiponja, është bërë sinonim i valleve shqiptare në Turqi. Ai konsiderohet një nga valltarët më të mirë shqiptarë atje dhe një figurë frymëzuese për gjeneratat e reja, jo vetëm për shqiptarët e diasporës, por edhe për publikun turk që e ka përqafuar artin e tij me respekt të veçantë. Në zemër të Bursës, larg Kosovës, por kurrë larg shpirtit shqiptar, jeton dhe vepron Haki Demiri – Haki Shqiponja, ambasadori i kulturës shqiptare. Një personalitet që i dha emër, zë dhe dinjitet valles shqiptare në Turqi, Hakiu nuk është thjesht valltar, por një misionar i identitetit kombëtar. Çdo hap i tij në skenë është një kujtesë për rrënjët, çdo lëvizje është një thirrje për atdheun.
Ka njerëz që e mbajnë Kosovën në zemër, dhe ka njerëz që e jetojnë Kosovën në çdo frymëmarrje, edhe kur janë larg saj. Haki Demiri është prej atyre burrave të rrallë që mallin nuk e ka fshehur kurrë, por e ka kthyer në vepër, në shërbim dhe në dashuri të pashtershme për atdheun.
I urtë, i dashur, i sinqertë dhe thellësisht human, ai është njeriu që flet pak për veten, por shumë për Kosovën. Rrëfimet e tij nuk janë tregime të zakonshme, janë plagë mallëngjyese që të mbushin sytë me lot, sepse burojnë nga një shpirt i përvujatur që nuk ka reshtur asnjë ditë së punuari për vendin e vet, edhe pse larg tij. Për Haki Demirin, Kosova nuk është vetëm vendlindje; është betim, është mall i shenjtë dhe dashuri që nuk plaket.
Ai jeton me mallin e pashuar dhe dhimbjen e ëmbël për Berivojcën dhe Kosovën, me zemrën e mbushur nga nostalgjia dhe sytë që shpesh lagen nga përmallimi. Largësia nuk ia ka zbehur dashurinë për vendlindjen; përkundrazi, e ka shndërruar në forcë krijuese. Përmes valles, Haki Demiri ka ruajtur gjuhën e trupit shqiptar, ka mbajtur gjallë kujtesën historike dhe ka ndërtuar ura kulturore mes shqiptarëve dhe shoqërisë turke.
Në Bursa, emri i tij nuk përmendet vetëm me respekt, por me krenari. Sepse aty ku vallëzon Haki Shqiponja, aty flet Kosova.
Haki Demiri, ndërgjegjja kombëtare e diasporës në Turqi
Me interpretimet e tij brilante dhe autentike, Haki Demiri ka bërë bujë të vazhdueshme në mediat turke, duke u shndërruar në një ambasador të gjallë të kulturës shqiptare. Edhe pse në moshë të shtyrë, ai nuk ndalet. Në dasma, ahengje dhe manifestime kulturore, Hakiu vazhdon të demonstrojë me krenari vallet shqiptare, duke i dhënë jetë traditës dhe kujtesës kolektive.
Me lot në sy dhe mall në zemër, ai flet për Kosovën. “Këta lot janë nga përmallimi dhe brengat për vëllezërit e mi në Kosovë. Ju lutem, ma përshëndetni tokën dhe qiellin e Kosovës”, është porosia e tij prekëse, e thënë me zë të dridhur dhe zemër të mbushur plot dashuri për atdheun.
I lindur në një familje me prejardhje nga Dardana (ish-Kamenica), Haki Demiri ka ndërtuar një emër të madh në Bursa, duke fituar popullaritet jo vetëm në mesin e komunitetit kosovar, por në gjithë Turqinë. Ai llogaritet si një ndër tre valltarët më të mirë në vend, ndërsa prania e tij në çdo aheng konsiderohet nder dhe privilegj.
“Mua vallet më japin forcë. Janë valle të trashëguara nga të parët tanë. Çdo lëvizje e imja është e bërë me shpirt e zemër, me stilin e shqiponjës”, shprehet Hakiu, i cili me lëvizjet e tij karakteristike ka fituar epitetin “Shqiponja” – një emër që e bart me krenari kudo që shkon.
Falë popullaritetit dhe respektit që gëzon, Haki Demiri u përzgjodh si asistent i parë i Drejtorit të Kulturës për qytetin e Bursës, një detyrë që e kreu me sukses deri para tri vitesh. Sot, në pension, ai vazhdon të jetë aktiv, duke mbajtur kurse vallëzimi për të rinjtë dhe duke transmetuar me përkushtim vallet tradicionale të Kosovës.
“Jam 77 vjeç, por jam ende në formë, pikërisht falë valleve. Çdo ditë jetoj me to dhe për to”, thotë ai me krenari.
Haki Shqiponja – valltari i mallit dhe i flamurit
Roli i Hakiut në komunitetin shqiptar në Bursa është i pazëvendësueshëm. Ai organizon manifestime dhe festivale kulturore, duke ftuar ansamble nga Kosova dhe duke promovuar vlerat kombëtare në skenat turke. Nuk ka shoqatë shqiptare që nuk e ka pasur mbështetjen e tij.
Me garderobën e tij autentike, të pasur me veshje kombëtare kosovare, Haki Demiri është shpesh subjekt i reportazheve dhe intervistave në mediat nacionale turke. “Edhe opingat e vjetra i kam gjetur në Kosovë. Dua t’i kompletoj veshjet e mia me kostume të lashta nga Kruja”, thotë ai, duke e parë veshjen si pjesë të identitetit dhe misionit të tij kulturor.
Çdo delegacion kulturor që viziton Bursën ka dëshirë ta takojë Haki Shqiponjën. Megjithatë, ëndrra e tij më e madhe mbetet një: “Të vallëzoj një ditë në Prishtinë, krah për krah me djemtë e Kosovës”.
Kontributi i tij për Kosovën nuk ka munguar as në kohët më të vështira. Gjatë luftës, Haki Demiri organizoi tubime sensibilizuese në Turqi, duke dëshmuar se shqiptarët e diasporës ishin dhe mbetën pranë Kosovës. “Lufta na bashkoi edhe më shumë. Na dha forcë dhe dashuri të pashtershme për atdheun”, thotë ai.
Në çdo manifestim, para çdo publiku – qoftë edhe para zyrtarëve më të lartë të shtetit turk – Haki Shqiponja e nis gjithmonë me simbolin e shqiponjës, pastaj me vallen e Rugovës, e më pas repertorin zyrtar. “Kudo që shkoj, shqiponjën e bëj e para”, thotë me buzëqeshje.
Dëshira e tij për Kosovën mbetet e pashuar. “E kam në zemër Kosovën. E dua me gjithë shpirt. Andaj, ju lutem, ma përshëndetni tokën dhe qiellin e Kosovës”, ishte fjala e fundit e Haki Shqiponjës, një porosi që tingëllon si amanet dhe si dashuri e përjetshme./rajonipress/






