Histori

Rrëfimi i ushtarit që mbante fotografinë e Rugovës në varrimin e tij, si e kujton atë ditë?

Më 26 janar të vitit 2006, Demë Maloku si pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, po mbante në duar fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në ditën e ceremonisë së lamtumirës së fundit.

20 vjet pas, kujtimet e asaj dite të ftohtë janari, janë të freskëta për ushtarakun.

“Ka qenë thjeshtë një hierarki, një zbatim i urdhërit nga ana ime dhe të kolegëve të mi të asaj kohe, i cili urdhër ka ardhë nga gjenerali Agim Çeku që ishte komandant i joni në atë kohë. Bëhet fjalë në atë kohë nuk kishim ministër Mbrojtje, dmth vetëm komandanti i Shtabit të Përgjithshëm që  ishte atëherë gjeneral Agim Çeku dhe ne kemi zbatuar urdhërin e tij për me kry një detyrë të caktuar”, kujton ai .

Asokohe, Maloku kujton se organizimi ishte një sfidë mjaft e madhe.

“Ka qenë një kohë mjaft sfiduese, kanë qenë përafërsisht katër-pesë ditë 24 orë parapërgatitjet, stërvitjet, deri në detaje se si do duket pjesa e ceremonisë së varrimit të presidentit Rugova, të gjitha ato detaje, dhe 24 orë para ngjarjes në ushtri është praktikë me u bë prova gjenerale”, tregon Maloku.

Vështirësitë, Maloku tregon se shtoheshin edhe nga fakti që në atë kohë, skena politike ishte mjaft e polarizuar.

“Ka qenë një kohë e shumë skenë e polarizuar në kuptimin politik në Kosovë dhe me të vërtetë ka qenë sfiduese, por ne si ushtarak të dalë nga lufta kemi prirje që t’i zbatojmë urdhërat dhe atë e kemi bërë të gjithë ne edhe unë në këtë rast. Zbatimi i udhërave është obligim nuk është çështje e vullnetit”, shprehet ai.

Megjithatë, motivi për ushtarakët ishte shumë i lartë.

“Presidenti Rugova, e kaluara e tij politike prej vitit 89 e tutje mendojmë që ai e ka merituar një përcjellje të lavdishme në përjetësi mirëpo nga ana tjetër edhe pjesa e pasluftës, marrja e organizimit të ceremonisë etj. në kuptimin institucional ka qenë një përgjegjësi dhe një sfidë”, thotë Maloku.

Maloku që ishte një ndër organizatorët e ceremonisë, ka dhënë kontribut edhe në luftën e fundit në Kosovë, si një nga komandantët në betejën e Koshares.

 

 

Të Ngjashme