Rregullatorët evropianë të barnave kanë paralajmëruar qytetarët kundër klinikave dhe kompanive që ofrojnë trajtime të paprovuara për kancerin dhe sëmundje të tjera, shpesh në mënyrë të paligjshme.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe rregullatorët kombëtarë theksuan se disa terapi të avancuara, si trajtimet gjenetike dhe të ashtuquajturat vaksina kundër kancerit, po tregtohen drejtpërdrejt te pacientët pa miratim zyrtar.
Këto trajtime shpesh promovohen në internet si “shpresa e fundit”, duke shfrytëzuar ankthin e pacientëve dhe familjeve të tyre, paralajmëroi EMA. Për shkak të mungesës së mbikëqyrjes, ato mund të jenë të kontaminuara, të paefektshme ose të rrezikshme për shëndetin.
Në vitin 2020, EMA paralajmëroi për mashtrime të ngjashme, por shqetësimet janë rindezur pas rasteve të fundit ku trajtime të paligjshme janë ofruar në disa vende evropiane. Një kompani spanjolle dyshohet se ka fituar miliona euro duke shitur terapi të qelizave dendritike për pacientë me kancer.
EMA u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë këto raste tek autoritetet dhe të shmangin trajtimet e reklamuar në internet pa miratim shkencor.
