Mbeturinat do t’i hedhin të gjithë, por jo të gjithë do të paguajnë njësoj.
Kjo meqë, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” po aplikon çmimoren e shërbimit të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.
Në këtë çmimore janë të ndara kategoritë që nga amvisëria e deri tek bizneset e mëdha.
“Ky akt nënkupton përcaktimin e tarifave të standardizuara për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale, të cilat janë hartuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat institucionale të qytetit tonë. Çmimorja reflekton kategorizimin e konsumatorëve – nga amvisëritë rezidente e jorezidente, tek bizneset e ndryshme sipas madhësisë dhe llojet e kontratave – në mënyrë që shërbimi të ofrohet në mënyrë të barabartë, transparente dhe efikase për të gjithë”, thuhet nga “Pastrimi”.
Drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Luftar Braha tha për televizionin se ka qenë momenti për vendosjen e një rregulli mbi menaxhimin e mbeturinave.
“Një prej këtyre komponentëve është edhe kontraktimi i shërbimeve që çdo biznes ose person ekonomik që duhet të bëjë me ndërmarrjen “Pastrimi”. E kanë të obliguar me i pas edhe kontejnerët e vet me pas kontratë me kohëzgjatje dhe gjithashtu me frekuenca përmbledhje dhe gjithashtu me sasinë që mundet më deponua apo me kriju varësisht prej saj edhe pagesa. Edhe me rregulloret e mëparshme e kanë pasur obligim thjeshtë janë riklasifiku e janë shtuar edhe disa lloje të veprimtarive të tjerat të cilat nuk kanë qenë më parë të parapara”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Luftar Braha.
Ndër të tjerash, Braha tregon edhe për dënimet që do pësojnë shkelësit e kësaj rregulloreje.
“Bizneset të cilat do të përdorin kontejnerët e amvisërisë dhe do të zihen duke hedhur mbeturina në kontejnerët e amvisëri do të gjobiten fillimisht dhe nëse nuk hyjnë në kontratë dhe nuk marrin masat adekuate si kontejnerët e veçantë për vete atëherë edhe mund të mbyllen”, tha ai.
Tarifa të ndryshme do të jenë për të gjitha kategoritë, por për amvisëritë tarifa maksimale mujore nuk tejkalon çmimin prej 6.20 euro.
