Rrethprerja tek meshkujt është një procedurë kirurgjikale ku pjesa e prepucit, e cila mbulon majën e penisit, hiqet. Kjo mund të bëhet për arsye fetale, kulturore, fetare ose për arsye mjekësore.
I ftuar në një intervistë në7pa5, Dritan Alushani, shefi i kirurgjisë pediatrike, shpjegon se rrethprerja është një ndërhyrje që ka rëndësi për shëndetin, por duhet të jetë një vendim i kujdesshëm dhe të konsultohet me mjekët për të përcaktuar nëse është e nevojshme.
“Shoqata e kirurgëve pediatër mbron idenë që ka avantazhe për ta bërë, por që nuk është e domosdoshme. Avantazhet janë për infeksionet. Edhe kur nuk ke infeksione, kur ti ke një lëkurë krijohet një hapësirë e mbyllur e cila bën që të favorizohen infeksionet. Infeksione të cilat bëhen të avancuara si psh balanitet dhe mund të kthehen edhe në kancer. Bërja e një rrethprerje krijon mundësinë të mos kesh kancer“, u shpreh doktori.
Në lidhje me moshën, kirurgët pediatrikë rekomandojnë që rrethprerja të bëhet deri në moshën 1 deri në 2 vjeç. Nëse nuk bëhet në këtë moshë, duhet të shtyhet për më vonë, pas moshës 6 vjeçare, për të shmangur traumatikët e mundshme. Pavarësisht këtyre rekomandimeve, Alushani gjithashtu thekson se rrethprerja mund të bëhet edhe për të rritur, dhe në disa raste, individë deri në moshën 70 vjeçare kanë kërkuar këtë procedurë për shkak të infeksioneve të rënda.
Një nga mitet e zakonshme lidhur me rrethprerjen është se ajo ndikon në performancën seksuale. Megjithatë, sipas mjekëve, nuk ka prova që të tregojnë ndikim negativ në këtë aspekt./vizionplus.tv
