Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar se të enjten ka ndodhur një ortek në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar.
Sipas njoftimit zyrtar, orteku është shkaktuar nga disa skitarë, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
Teknikët e ShKShMK kanë evidentuar shtresa të dobëta të borës, veçanërisht një shtresë bazë mbi vegjetacion, e cila paraqet rrezik të lartë për shkaktimin e ortekëve.
Reshjet e fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë krijuar akumulime të reja që rrisin presionin mbi këto shtresa problematike.
Bazuar në vlerësimet aktuale, autoritetet paralajmërojnë për kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë, sidomos në zonat jashtë shtigjeve të sigurta.
ShKShMK u bën thirrje skitarëve dhe vizitorëve që të tregojnë kujdes maksimal, të informohen për kushtet e motit dhe borës, të përdorin pajisje sigurie dhe të shmangin lëvizjet individuale në terrene të rrezikshme.
“Sot është raportuar një aksident orteku në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar. Orteku është iniciuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime. Teknikët e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK-së, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës, kanë evidentuar dy shtresa problematike në zonën e Brezovicës. Më shqetësuesja prej tyre është shtresa bazë mbi vegjetacion (Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar). Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur peshën dhe presionin mbi këto shtresa të dobëta. Kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë. ShKShMK apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, pa përjashtuar rrezikun edhe në orientime dhe pozita të tjera gjeografike. Ju lutemi: shmangni lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, informohuni paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, përdorni pajisje adekuate sigurie, mos veproni individualisht në terrene të rrezikshme”, thuhet në njoftim.
