Kuriozitete

Rrezikonte zhdukjen, Tajlanda rikthen peshkaqenin leopard në det

Një peshkaqen leopard pothuajse dyvjeçar është rikthyer në habitatin e tij natyror në ujërat blu pranë ishullit Maiton, rreth 9 kilometra në juglindje të Phuket-it në Tajlandë.

I njohur për njollat karakteristike që i ngjajnë leopardit, peshkaqeni leopard dikur ishte i zakonshëm në ujërat tajlandeze.

Sot, për shkak të peshkimit dhe dëmtimit të shkëmbinjve koralorë, nuk gjendet lehtë dhe specia është e listuar si e rrezikuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Rikthimi i tij në natyrë është pjesë e Projektit StAR Thailand, një iniciativë e drejtuar nga organizatat WildAid dhe Ocean Blue Tree, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.

Para lëshimit në det, peshkaqenët kalojnë një proces të gjatë përgatitor. Fillimisht rriten për rreth një vit në akuarium, më pas transferohen në Qendrën Biologjike Detare të Phuket-it për trajnim të sjelljes natyrore.

Faza e fundit zhvillohet pranë ishullit Maiton, ku me anë të pajisjeve të veçanta peshkaqeni përshtatet me kushtet reale të mjedisit.

“Ky ambient është ndërtuar për të përshtatur peshkaqenin me mjedisin natyror. Kujdestarët tanë kujdesen çdo ditë për ushqimin, regjistrojnë rritjen dhe monitorojnë shëndetin e përgjithshëm, në mënyrë që ta mbajmë të shëndetshëm dhe ta përgatisim për jetën në natyrë”, tha Metavee Chuangcharoendee , menaxhere e projektit STAR.

Dy ditë para lirimit, biologë detarë nga Departamenti i Burimeve Detare dhe Bregdetare kryejnë kontrolle të detajuara shëndetësore.

Ekzaminimet përfshijnë ultratinguj, matje të trupit, peshim dhe kontrolle fizike për të garantuar që peshkaqeni është gati për t’u rikthyer në det.

“Ky është një kontroll shëndetësor përpara se peshkaqeni të lirohet në det. Ne përdorim ultratinguj sepse shkaktojnë stres minimal. Kontrollojmë zonën e barkut, përmasat dhe kryejmë edhe ekzaminime të tjera fizike”, tha Patcharaporn Kaewmong, biolog detar.

Secili peshkaqen mban një pajisje akustike gjurmuese, e cila regjistron lëvizjet e tij përmes receptorëve të vendosur në Gjirin Phang Nga.

Të dhënat mblidhen çdo muaj për të vlerësuar mbijetesën dhe përshtatjen në natyrë. Por përzgjedhja e peshkaqenit leopard nuk është e rastësishme.

“Ne e zgjodhëm peshkaqenin leopard sepse riprodhohet shumë mirë në akuariume, por jo më në natyrë. Pse të mos përdorim këtë popullatë për ta rikthyer dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen e saj?”, tha Metavee Chuangcharoendee, menaxhere e projektit StAR.

Një rol kyç në këtë proces ka Akuariumi Aquaria Phuket, i vetmi në Tajlandë që aktualisht rrit peshkaqenë leopard nën kushte të kontrolluara.

“Programi ynë i shumimit ka qenë shumë i suksesshëm. Cilësia e ujit dhe kujdesi profesional na kanë lejuar jo vetëm t’i shumojmë, por edhe t’i rikthejmë këta peshkaqenë në oqean”, u shpreh Metavee Chuangcharoendee – menaxhere e projektit StAR.

Në vitin 2025, programi ka arritur të lëshojë me sukses shtatë peshkaqenë leopard në natyrë.

“Sukses për mua është kur peshkaqenët shihen çdo ditë nga zhytësit, kur ata shumohen në natyrë, kur vezët gjenden në det dhe kur nuk shfaqen më në tregje. Kjo do të thotë që kemi një ekosistem detar të shëndetshëm”.

Ekspertët theksojnë se ulja e ndotjes dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve detare janë elementë kyç për mbijetesën afatgjatë të specieve të rralla.

Të Ngjashme