Lajme

Rreziku për zgjedhje të reja, deputetët të paktën 34 ditë kohë për marrëveshjet ndërkombëtare

Autor: Driton Sadiku

Për dy javë pushuan.

Por të zgjedhurit e popullit tashmë mund t’i kthehen punës në kuvend, të paktën edhe për 34 ditë.

Brenda kësaj kohe, deputetët i pret një sfidë që përcakton mandatin e tyre në tempullin e demokracisë.

Andaj para se vendi të rrezikoj shkuarjen në zgjedhje, vlerësohet se deputetët duhet që me nxitim, ti përfundojnë disa marrëveshje ndërkombëtare që vendit i sjellin goxha para.

“Ka disa marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikimin në kuvend dhe vlera totale e tyre shkon mbi 100 milionë euro dhe kjo është padyshim një nga rëndësinë më të mëdha për shtetin duke qenë në situatën gjeopolitike ku jemi çdo ditë e më shumë bëhet e vështirë qasja në financat ndërkombëtare, madje është marrëveshja për anëtarësim në bordin e paqes e cila është me rëndësi”, ka thënë Besar Gërgi –hulumtues në GLPS

Me rëndësi jetike sipas Besar Gërgit nga GLPS, konsiderohet edhe kalimi i disa projektligjeve, si parakusht që Kosova të përfitoi fonde.

“Ligjet që kanë lidhje me planin e rritjes duke qenë që ka fitim të drejtpërdrejt financiar nga zbatimi i reformave që parashihen aty dhe janë një sur ligjesh siç është kodi civil, ligji për statusin e falimentimit, ligjet e energjisë”, thotë ai.

Sipas profesorit Fadil Maloku, veç marrëveshjeve kuvendi duhet të vazhdoj edhe me mbikëqyrjen e institucioneve, përmes komisioneve parlamentare.

“Në qoftë se ashpërsohen rrethanat e jashtme që kanë refleksion edhe në proceset e brendshme, munden me sjellë pasoja dhe probleme të natyrave të ndryshme ekonomike e politike”, thotë Maloku.

Aktualisht, janë 33 institucione te pavarura, që deri në fund të marsit, duhet ti dorëzojnë raportet e tyre në kuvend, ndërkohë që janë edhe mbi 30 pozita që duhet të plotësohen nga Kuvendi apo institucione ku Kuvendi duhet të delegojë anëtarët e zgjedhur.

Të Ngjashme