Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur për rrëzimin e dekretit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se ky dekret nuk ka efekt juridik, ndërsa Kuvendi i Kosovës ka 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit
“Gjykata rithekson se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Opinionisti Gani Mehmeti ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar atë një mundësi të mirë për të zgjedhur kryetarin e Kosovës pa shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Ai në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se nëse brenda 34 ditëve nuk arrihet të zgjidhet kryetari, kjo tregon paaftësi dhe mungesë përgjegjësie nga të gjitha partitë dhe deputetët, duke dëmtuar shtetin dhe respektin për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve.

Opinionisti Gani Mehmeti
“Rrëzuarja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të 6 marsit 2026, na duket se është plotësisht i drejtë dhe se ka qenë i pritur. Ky vendim i Gjykatës Kushteuese është edhe një rast i mirë për të zgjedhur kryetarin e Kosovës e të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, sepse të gjithë jemi të lodhur nga zgjedhjet në Kosovë. Prandaj, e konsideroj si një akt të mirë e shumë të pritur, pas pauzës prej njëzet ditëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse brenda 34 ditëve nuk arrihet të zgjedhet kryetari/rja e Kosovës, tregohet se ne jemi shumë keq si parti politike, si deputetë ashtu edhe si popull. Tregohet se nuk jemi as për shtet, përkundër gjakderdhjes të heronjve, dëshmorëve e martirëve të rënë në luftë për liri. Dhe, fajtor nuk do të mbetet vetëm një parti politike e as disa deputetë, por të gjtiha partitë politike e të gjithë deputetët.
Si është e mundur të mos gjendet një individ për emërues të përbashkët të të gjitha partive politke në Kosovë për kryetar? Kjo do të tregonte msopërgjegjësinë e atyre që u takon të zgjedhin kryertarin”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Mehmeti ka thënë se nëse brenda afatit 34 ditor nuk zgjidhet kryetari i Kosovës, Kuvendi do të shpërndahet dhe mund të shkohet në zgjedhje të reja ose të parakohshme.
Ai ka shtuar se asnjë parti nuk mund të fitojë 80 deputetë për të zgjedhur kryetarin e vetë, ndaj edhe bojkotimi i mundshëm nga qytetarët do të ishte një përgjigje e arsyeshme ndaj kësaj situate.
“Nëse brenda afatit 34 ditorë nuk zgjedhet kryetari i Kosovës, atëherë do të shpërndahet Kuvendi dhe do të shkohet në zgjedhje të reja ose të parakohshme. Mirëpo, çuarja në zgjedhje të parakohshme do të ishte një turp i madh për të gjithë liderët partiakë dhe vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Çuarja në zgjedhje, do të ishte një papërgjegjësi e madhe e deputetëve dhe se nga votuesit do të ishte mirë të shkohet deri atje sa të bojkotohen zgjedhjet tërësisht nga votuesit, nëse vie deri atje. Kjo do duhej të bëhej, sepse edhe zgjedhjet e reja nuk do të prodhonin diçka të re e më të favorshme kur është fjala për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës. Asnjë parti nuk do të fitojë në zgjedhje 80 deputetë, që të zgjedhë e vetme kryetarin”, ka vlerësuar ai.
Në fund, ai ka paralajmëruar se nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, ato mund të mbahen brenda 45 ditësh sipas njohësve të ligjit.
“Kështu që, ne ftojmë të gjithë subjektet politike dhe deputetët që të mendojnë për shtetin dhe për ata që u dhanë votën më parë se për intersa të ngushta partiake e indivuduale, të mendojnë dhe të punojnë për shtetin.
Me moszgjedhjen e kryetarit brenda këtyre 34 ditëve, vendi shkon në zgjedhje dhe brenda vetëm 45 ditësh do të mbaheshin ato, thonë njohësit e ligjeve”, ka përfunduar Mehmeti.
