Lajme

RRGK: Gruaja në Lipjan u godit me sëpatë nga ish-bashkëshorti, pavarësisht se kishte urdhër për mbrojtje aktive

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka reaguar pas ngjarjes që ndodhi sot në Lipjan, ku një grua është goditur me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, RRGK-ja ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit kishte urdhër për mbrojtje aktive, shkruan Zeri.info.

Moneytizer Paragrafi 2

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën lidhur me rastin tronditës të dhunës të ushtruar sot ndaj një gruaje në Gadime të Ulët, e cila është sulmuar brutalisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj, pavarësisht faktit se ndaj tij kishte Urdhër për Mbrojtje aktiv”, bën të ditur RRGK-ja.

Sipas RRGK-së, ky rast tregon edhe një herë se jeta e grave vazhdon të jetë në rrezik, për shkak të mungesës së zbatimit të plotë urdhrave për mbrojtje.

Moneytizer Paragrafi 4

“Ky rast tregon edhe një herë se mungesa e zbatimit të plotë të Urdhrave për Mbrojtje vazhdon të rrezikojë jetën e grave në Kosovë, duke dështuar t’i ofrojë mbrojtjen që ligjërisht u takon. RRGK-ja kërkon urgjentisht nga Policia e Kosovës që të fuqizojë monitorimin dhe zbatimin e Urdhrave për Mbrojtje, të ndërmarrë masa të menjëhershme për kapjen e të dyshuarit”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Rrjeti i Grave ka kërkuar nga Gjykata të jepet vendim për vendosjen e byzylykut për mbikëqyrjen elektronike.

“Gjithashtu, RRGK-ja kërkon nga Gjykata që të japë vendimin për vendosjen e byzylykut për mbikëqyrje elektronike, të sigurojnë dënim meritor dhe proporcional me rrezikshmërinë e veprës, të përshpejtojnë procedurat në rastet e dhunës në familje dhe të mos lejojnë tolerim ndaj dhunuesve. Përveç kësaj ftojmë institucionet përgjegjëse që ndaj dhunuesit të caktohet masa e rehabilitimit; ndjekja e Programit të Kryesve të Dhunës. Dhuna ndaj grave është krim dhe duhet trajtuar si urgjencë kombëtare. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë, dhe asnjë Urdhër për Mbrojtje nuk duhet të mbetet vetëm në letër”, thuhet në reagim. /Zëri



ks