LifeStyle

Rrini zgjuar deri natën vonë? Dy rreziqet që po ju kanosin shëndetin

Nuk është qëndrimi deri natën vonë faktor për reduktimin e jetëgjatësisë, por zakonet që e shoqërojnë atë si pirja e duhanit dhe alkoolit, thotë një studim i ri.
Studiuesit finlandezë analizuan të dhënat e binjakëve për 37 vjet duke vëzhguar kronotipet e ndryshme, pra prirjen natyrale të çdo organizmi për të fjetur në një kohë të caktuar.

Sipas gjetjeve të tyre të publikuara në Chronobiology International, megjithëse kishte dallime të vogla në jetëgjatësinë nga tipat e mëngjesit dhe ata të mbrëmjes, zakone të tilla si alkooli dhe cigaret rrisnin mundësinë e vdekjes më herët për shkak se konsumohen gjatë mbrëmjes.

Për autorin e hulumtimit, Dr. Christer Hublin nga Instituti Finlandez i Shëndetit në Punë në Helsinki, gjetjet janë tregues se kronotipi nuk luan një rol në vdekshmërinë. Përkundrazi, rritja e rrezikut të vdekshmërisë, për ‘tipat e natës’ lidhet qartë me konsumin më të madh të duhanit dhe alkoolit sipas Dr.Hublin, në ndryshime nga ata tipat e mëngjesit. Studiuesit zbuluan një rritje të vogël të rrezikut të vdekjes nga të gjitha shkaqet, përfshirë sëmundje të përgjithshme dhe sëmundjet kardiovaskulare për tipat e natës. Studiuesit morën në studim një grup njerëzish mbi 24 vjeç (23 mijë burra e gra) dhe panë edukimin e pjesëmarrësve, konsumin e përditshëm të alkoolit, zakonin e pirjes së duhanit, BMI-në dhe kohëzgjatjen e gjumit. Më pas ata i ndoqën pjesëmarrësit 37 vjet më vonë për të regjistruar vdekjet. Studimi zbuloi se tipat e natës ishin më të rinj, pinin duhan më shumë dhe kishin më pak gjasa të flinin tetë orë.

Më shumë se 8,700 nga pjesëmarrësit kishin vdekur deri në vitin 2018. Mundësia e vdekjes nga çfarëdo shkaku ishte 9% më e lartë mes tipave të natës në krahasim me të tjerët. Pirja e duhanit dhe alkooli i shkaktuan kryesisht këto vdekje, jo koha, vunë në dukje studiuesit. Joduhanpirësit nuk kishin një rrezik të rritur të vdekjes. Vdekjet nga alkooli ishin nga sëmundje të lidhura me konsumimin e tij dhe helmimi aksidental me alkool.