Lajme

Rriten nivelet e lumenjve pas reshjeve, IHK paralajmëron rrezik për vërshime lokale

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e vazhdueshme të 14 shkurtit dhe të natës në vijim kanë ndikuar në rritjen e nivelit të disa lumenjve në vend.

Sipas matjeve të fundit, Lumi Lepenc në pikëvëzhgimin në Hani i Elezit ka arritur nivelin 2.93 metra. Ndërkaq, Morava e Binçës në Viti ka shënuar 1.33 metra, ndërsa Lumi Nerodimes në Kaçanik ka arritur në 0.82 metra.

Sipas institutit, ekziston mundësia e vërshimeve lokale në zonat përreth këtyre lumenjve, ndërsa lumenjtë e tjerë në vend aktualisht mbeten brenda niveleve normale dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje.

Sa i përket reshjeve të regjistruara, në Brezovicë janë matur 24.8 mm shi, ndërsa në Hani i Elezit 36.8 mm.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe autoriteteve lokale që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet e radhës lidhur me zhvillimet hidrologjike.

Të Ngjashme