Gjykata Komerciale po trajton gjithnjë e më shumë raste që lidhen me shkeljen e të drejtave të autorit. Përmes këtyre proceseve gjyqësore, synohet mbrojtja ligjore e krijuesve dhe vendosja e përgjegjësisë për shfrytëzimin e paautorizuar të veprave artistike.
Pa marrëveshje e pa kontratë, shfrytëzimi i të drejtave autoriale po përfundon në gjykatë.
Gjykata Komerciale gjithnjë e me shumë po trajton çështjet e së drejtës autoriale. Kontestet kryesisht lidhen me të drejtën e paautorizuar të shfrytëzimit të veprave artistike
Fusha e pronësisë intelektuale po konsolidohet gjithnjë e më shumë, marrë për bazë ligjet e harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian. E gjykata komerciale këto raste thotë se po i trajton me prioritet.
Sa u përket lëndëve ku objekt i kontestit është e drejta e autorit, në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale janë evidentuar gjithsej 133 lëndë. Prej tyre, 83 janë pranuar gjatë vitit 2025.
Nga numri i përgjithshëm, 64 lëndë janë përmbyllur, ndërsa 69 vazhdojnë të jenë në procedurë gjyqësore. Ndërkaq, në Dhomat e Shkallës së Dytë, për këtë kategori evidentohen 17 lëndë të zgjidhura, ndërsa 3 mbeten ende në shqyrtim.
Kontestet kryesisht lindin për shkak të shfrytëzimit të krijimtarisë autoriale pa marrëveshje dhe pa të drejta, raste që shpeshherë përfundojnë në gjykatë.
“Sidomos, e drejta e autorit për shkak se për një kohë të gjatë, krijuesit, autorët dhe performuesit po vazhdojnë për një kohë të gjatë të punojnë pa kontrata, kjo ka sjellë probleme. Për shkak se në këtë fushë ka pasur shumë pak ose fare pak kontrata që i lidhin producentët dhe autorët, performuesit apo këngëtarët me të drejtat e tyre. Vitet e fundit shihet që ka konteste sidomos në fushën e shfrytëzimit të muzikës në internet, sidomos në YouTube, kur personat e caktuar mund të bëjnë ngarkimin ose vendosjen e një muzike pa pasur të drejtat për të bërë këtë”, thotë Valon Kashtanjeva, konsulent ligjor.
Raste në rritje të këtyre kontesteve raportojnë edhe përfaqësuesit ligjorë, raste për të cilat vendimet që rrjedhin nga gjykata janë me kompensim të dëmit material dhe jometerial.
“Përveç procedurës civile ekziston edhe ajo kundërvajtëse e cila i dënon kryerësit e veprave kundërvajtëve të shkeljes së të drejtave të autorit, gjobat janë nga 2 mijë deri në 25 mijë euro varësisht nga vlera e dëmit që ata kanë shkaktua me shkeljen e të drejtave autoriale. Ekziston edhe procedura gjyqësore penale e cila parasheh se kryerësit e veprave të tilla që shkelin të drejtat autoriale mund të dënohen me burgim deri në 3 vite dhe me gjobë nëse ata nga një shkelje e tille kanë përfituar edhe materialin vlerën prej 10 mijë deri në 25 mijë eruo”, thotë Arbër Istrefi, avokat.
Avokati tutje thotë nëse më shkeljen e të drejtave autoriale është përfituar vlera mbi 50 mijë euro kryerësit e veprave penale dënohen me 8 vite burg edhe me gjobë.
Në vendin tonë rastet penale janë më të pakta, ndërsa për kompensim të dëmit shënojnë një numër të madh në gjykatë, që ndiqen individualisht nga personat që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat autoriale.
