Transporti publik në dy shtete australiane do të bëhet falas për të nxitur njerëzit të mos përdorin makinat, ndërsa çmimet e karburantit rriten ndjeshëm për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Viktoria ka njoftuar se udhëtimi do të jetë falas gjatë gjithë muajit prill, ndërsa Tasmania ka bërë të ditur se qytetarët nuk do të paguajnë nga e hëna deri në fund të qershorit.
Megjithatë, qeveritë e shteteve të tjera deri më tani kanë refuzuar të ndjekin këtë shembull.
Australia ka parë rritje të ndjeshme të çmimeve të karburantit që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.
Bllokimi pothuajse total i transportit ndërkombëtar detar në këtë rrugë ujore jetike – përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror në botë – ka detyruar qeveritë në mbarë botën të marrin masa për kursimin e karburantit.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, u përpoq të qetësonte shoferët të premten pas raportimeve për blerje paniku dhe mungesa në stacionet e benzinës.
Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, njoftoi se trenat, tramvajet dhe autobusët do të jenë falas për të gjithë nga e marta, në një përpjekje për të ulur presionin në pikat e karburantit.
“Kjo nuk do të zgjidhë çdo problem, por është një hap i menjëhershëm për të ndihmuar qytetarët,” tha ajo.
Ndërkohë, qeveria e Tasmanisë njoftoi se autobusët dhe tragetet do të jenë pa pagesë për disa muaj.
Kryeministri Jeremy Rockliff theksoi se rritja e çmimit të karburantit po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet familjare, ndaj janë marrë masa për të lehtësuar situatën.
Ministri i transportit shtoi gjithashtu se edhe autobusët shkollorë me pagesë do të bëhen falas, duke kursyer rreth 20 dollarë australianë në javë për përdoruesit.
/tiranapost
