Lajme

Rritja e vrasjeve në Kosovë, ish hetuesi ngre alarmin: Duhet luftë e koordinuar kundër tregut ilegal të armëve

Vala e vrasjeve dhe incidenteve të rënda me armë zjarri në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze për nivelin e sigurisë.

Ish hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se dhuna me armë nuk mund të shihet më si një seri incidentesh të veçuara, por si një problem që kërkon reagim të vendosur institucional dhe veprime konkrete për garantimin e sigurisë së qytetarëve.

“Para së gjithash, më lejoni të ju shprehi  ngushëllimet më të sinqerta për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Çdo jetë e humbur nga dhuna me armë është një tragjedi për familjen, por edhe një alarm serioz për shtetin dhe shoqërinë.

Rastet e fundit tregojnë se dhuna me armë nuk mund të trajtohet më si incidente të izoluara. Ato kërkojnë një reagim të vendosur institucional ndaj qdo individi të dyshuar. Siguria publike është një nga përgjegjësitë themelore të shtetit dhe çdo qytetar duhet të ndihet i mbrojtur në rrugë, në shtëpi dhe në vendin e punës”, ka thënë ai.

Image
Agim Rexhepi

Në vazhdim, Rexhepi ka kërkuar ndryshim të qasjes shtetërore, duke e zhvendosur fokusin te zbatimi i ligjit dhe kontrolli real mbi armët në qarkullim.

“Kontrolli mbi armët duhet të forcohet ndjeshëm. Nuk mjafton vetëm legjislacioni ekzistues nëse ai nuk zbatohet me rigorozitet. Duhet të ketë kontrolle më të shpeshta për posedimin e armëve, verifikim të vazhdueshëm të lejeve, konfiskim të menjëhershëm të armëve që mbahen në mënyrë të paligjshme dhe ndëshkime shumë më të ashpra për trafikimin dhe posedimin ilegal të tyre. Çdo armë e paligjshme që hiqet nga qarkullimi është një rrezik më pak për jetën e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Policia duhet të rrisë operacionet parandaluese dhe goditjen e grupeve që furnizojnë tregun ilegal të armëve, ndërsa prokuroria dhe gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet këto raste.

“Po aq i rëndësishëm është edhe veprimi i Policisë dhe institucioneve të drejtësisë. Policia duhet të intensifikojë operacionet parandaluese, kontrollet në zonat me rrezik të lartë, mbledhjen e inteligjencës dhe goditjen e grupeve kriminale që furnizojnë tregun ilegal të armëve. Ndërkohë, prokuroria dhe gjykatat duhet të trajtojnë me prioritet rastet që lidhen me armë ilegale dhe krime të dhunshme, duke dhënë dënime që shërbejnë si pengesë reale për autorët e mundshëm”, ka shtuar ai.

Në fund, Rexhepi ka potencuar se duhet bashkëpunim më i madh mes institucioneve, shkollave, familjeve dhe shoqërisë civile për parandalimin e radikalizimit dhe dhunës, duke nënvizuar se parandalimi është po aq i rëndësishëm sa ndëshkimi.

“Në të njëjtën kohë, nevojitet bashkëpunim më i madh mes institucioneve, shkollave, familjeve dhe shoqërisë civile për të parandaluar radikalizimin, konfliktet dhe kulturën e dhunës. Parandalimi është po aq i rëndësishëm sa edhe ndëshkimi.                                                                          

Mesazhi duhet të jetë i qartë: në një shtet demokratik nuk mund të tolerohet që armët të përdoren për zgjidhjen e konflikteve apo larjen e hesapeve. Sundimi i ligjit duhet të jetë më i fortë se çdo individ apo grup kriminal. Vetëm përmes zbatimit të pakompromis të ligjit, forcimit të kontrollit mbi armët, reagimit profesional të Policisë dhe drejtësisë efikase mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe të parandalohet përsëritja e tragjedive të tilla.

Ky është momenti që institucionet të veprojnë me vendosmëri, sepse siguria e qytetarëve nuk është çështje debati politik, por detyrim themelor i shtetit”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.

Të Ngjashme