Numri i rasteve me kancer në mushkëri tek njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan është në rritje. Kjo lloj sëmundjeje është e ndryshueshme nga ajo e shkaktuar nga pirja e duhanit. Por çfarë e shkakton atë?
Martha e kuptoi për herë të parë që diçka nuk shkonte kur kolla e saj ndryshoi dhe sekrecionet në rrugët e frymëmarrjes u bënë gjithnjë e më të trasha. Mjekët e saj ia atribuuan një çrregullimi të rrallë që ajo kishte, i cili shkaktonte inflamacion kronik të mushkërive. “Asgjë për t’u shqetësuar, duhet të jetë kjo,” i thanë.
Kur më në fund bëri një radiografi, u zbulua një hije në mushkëri. “Aty filloi gjithçka,” kujton Martha. “Së pari u bë një skaner CT, pastaj një bronkoskopi [një procedurë që përdor një tub të gjatë për të inspektuar rrugët e frymëmarrjes në mushkëri] për të marrë mostra indi.” Pas heqjes së tumorit – rreth katër muaj pasi kishte raportuar simptomat te mjeku i familjes – ajo mori diagnozën: kancer në mushkëri, faza IIIA. Tumori kishte prekur nyjet limfatike përreth, por nuk ishte përhapur ende në organe të tjera. Martha ishte 59 vjeç.
“Ishte një tronditje e plotë,” thotë ajo. Edhe pse herë pas here ndizte ndonjë cigare në festa, ajo kurrë nuk e kishte konsideruar veten si duhanpirëse.
Kanceri në mushkëri është kanceri më i zakonshëm në botë dhe shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri. Në vitin 2022, rreth 2.5 milionë njerëz u diagnostikuan me këtë sëmundje dhe mbi 1.8 milionë humbën jetën. Edhe pse shumica e rasteve janë ende të lidhura me duhanin, normat e pirjes së duhanit janë në rënie prej dekadash. Ndërsa numri i duhanpirësve bie në shumë vende të botës, përqindja e rasteve të kancerit të mushkërive tek jo-duhanpirësit është në rritje. Midis 10 dhe 20% e diagnozave aktualisht i përkasin personave që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Një sëmundje më vete
“Kanceri në mushkëri tek jo-duhanpirësit po shfaqet si një sëmundje e veçantë, me karakteristika molekulare të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejt në trajtim dhe rezultat,” thotë Andreas Wicki, onkolog në Spitalin Universitar të Zyrihut në Zvicër. Edhe pse mosha mesatare e diagnostikimit është e ngjashme me atë të pacientëve që pinë duhan, pacientët më të rinj kanë më shumë gjasa të jenë jo-duhanpirës. “Kur shohim pacientë 30- ose 35-vjeçarë me kancer në mushkëri, ata zakonisht nuk kanë pirë kurrë duhan,” thotë ai.
Një tjetër ndryshim është tipi i kancerit. Deri në vitet 1950-1960, tipi më i zakonshëm ishte karcinoma e qelizave skuamoze – që fillon në qelizat që mbulojnë mushkëritë. Ndërsa tek jo-duhanpirësit, kanceri është pothuajse gjithmonë adenokarcinoma – që fillon në qelizat që prodhojnë mukus – dhe që tani është edhe forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive, si tek duhanpirësit ashtu edhe tek jo-duhanpirësit.
Ashtu si forma të tjera, adenokarcinoma zbulohet zakonisht në një fazë të avancuar. “Nëse ke një tumor 1 cm të fshehur diku në mushkëri, nuk e ndjen,” thotë Wicki. Simptomat e para si kolla e vazhdueshme, dhimbja e kraharorit, mungesa e frymëmarrjes ose fishkëllima në frymëmarrje shfaqen vetëm kur tumori është rritur ose përhapur. Për shkak të lidhjes historike mes duhanit dhe kancerit të mushkërive, simptomat shpesh nuk lidhen me kancerin tek jo-duhanpirësit, dhe kjo çon në vonesa në diagnozë. “Shumica e rasteve diagnostikohen në fazën 3 ose 4.”
Gratë më të rrezikuara
Kanceri në mushkëri tek jo-duhanpirësit është më i zakonshëm tek gratë. Gratë që nuk kanë pirë kurrë janë mbi dy herë më të rrezikuara sesa burrat jo-duhanpirës. Përveç faktorëve anatomikë dhe mjedisorë, pjesërisht shkaku qëndron te mutacionet gjenetike më të shpeshta tek gratë, veçanërisht ato aziatike. Një nga më të zakonshmet është mutacioni EGFR.
Qelizat e kancerit në këta pacientë zakonisht kanë një sërë mutacionesh që shkaktojnë zhvillimin e tumorit – të quajtura mutacione nxitëse (“driver mutations”). EGFR është një gjen që kodon një proteinë në sipërfaqen e qelizave, dhe ndërhyn në rritjen e tyre. Arsyet pse këto mutacione janë më të zakonshme tek gratë, veçanërisht ato aziatike, nuk janë plotësisht të kuptuara. Ka prova që hormonet femërore, si estrogjeni, mund të luajnë rol, pasi disa variante gjenetike që ndikojnë në metabolizmin e estrogjenit janë më të zakonshme tek gratë e Lindjes së Largët.
Zbulimet e reja dhe shpresat për trajtim
Pas zbulimit të këtyre mutacioneve, industria farmaceutike nisi të zhvillojë ilaçe që bllokojnë aktivitetin e proteinave të përfshira. Inhibitorët e parë të EGFR u bënë të disponueshëm rreth 20 vjet më parë dhe shumica e pacientëve treguan përmirësim të madh. Por me kalimin e kohës, qelizat kancerogjene zhvillojnë rezistencë, duke shkaktuar rikthim të tumorit. Tani po zhvillohen ilaçe të reja për të kapërcyer këtë problem.
Kjo ka përmirësuar ndjeshëm prognozën. “Sot, pacientët me këto mutacione jetojnë disa vite më gjatë. Disa janë në trajtim që prej më shumë se 10 vjetësh – një përparim i jashtëzakonshëm, kur mendojmë që dikur mbijetesa mesatare ishte më pak se 12 muaj,” shpjegon Wicki.
Ndikimi i ndotjes së ajrit
Ndërkohë që rastet tek jo-duhanpirësit rriten, ekspertët theksojnë rëndësinë e strategjive parandaluese. Disa faktorë rreziku janë identifikuar, si radoni, tymi pasiv, tymi nga gatimi në ambiente të mbyllura me ventilim të dobët dhe sidomos ndotja e ajrit.
Ndotja e jashtme e ajrit është faktori i dytë më i madh shkaktar i kancerit të mushkërive pas duhanit. Veçanërisht grimcat PM2.5 – të imëta, me diametër më të vogël se 2.5 mikronë – janë më të dëmshmet. Ato gjenden në gazrat e makinave dhe në djegien e karburanteve fosile. Studime të fundit tregojnë një lidhje të fortë mes niveleve të larta të PM2.5 dhe kancerit të mushkërive tek personat me mutacionin EGFR, edhe nëse nuk kanë pirë kurrë duhan.
Në një studim të vitit 2023 në Francis Crick Institute në Londër, u zbulua se këto grimca nuk shkaktojnë drejtpërdrejt mutacione, por “zgjimin” e qelizave të fjetura me mutacione ekzistuese. Grimcat thithen nga qelizat imunitare të quajtura makrofagë, të cilat lëshojnë citokina – përbërje që nxisin shumimin e qelizave me mutacion EGFR./Përkthyer nga BBC – SYRI.NET
