Një incident i ndodhur në fund të nëntorit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Muzeun e Luvrit. Institucioni njoftoi të dielën se një rrjedhje uji ka prekur rreth 400 objekte në departamentin egjiptian, duke shtuar edhe më tej shqetësimet për gjendjen e infrastrukturës pas vjedhjes së bujshme të bizhuterive pak javë më parë.
Zëvendësadministratori i muzeut, Francis Steinbock, bëri të ditur se rrjedhja u zbulua më 26 nëntor. Mes materialeve të dëmtuara janë revista të rëndësishme egjiptologjike dhe dokumente shkencore të përdorura nga studiuesit. Ai sqaroi se shumica e objekteve datojnë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.
Steinbock theksoi se, pavarësisht dëmeve, asnjë objekt me vlerë të drejtpërdrejtë trashëgimie nuk është prekur dhe se deri tani nuk ka humbje të pakthyeshme.
Ngjarja vjen në një moment delikat për Luvrin, pasi në tetor një grup prej katër personash arriti të vidhte bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë brenda vetëm shtatë minutave, duke hapur një debat të gjerë për sigurinë dhe nevojën për modernizim të ndërtesës historike.
/tiranapost
