Lajme

Rrjeti i Radoiçiqit në shënjestër, mbyllet edhe një biznes në Zveçan – gjurmët çojnë te Zheljko Bojiq

Sipas raportimeve të publikuara nga VeritasInfo.org, institucionet e Kosovës kanë mbyllur edhe një biznes tjetër në veri të vendit që dyshohet se lidhet me rrjetin e njerëzve të afërt të terroristit Millan Radoiçiq.

Bëhet fjalë për një objekt dhe lavanderi në Zveçan, rast që ka rikthyer vëmendjen mbi rrjetin e biznesit dhe ndikimit politik të lidhur me Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Sipas mediumit serb, emri i Zheljko Bojiqit përmendet si një nga figurat kyçe që lidhet me këtë biznes.

Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Thesarit e kishte futur Bojiqin në listën e sanksioneve qysh në vitin 2021, duke e lidhur me rrjetin e Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radoiçiqit. Në arsyetimin e SHBA-ve thuhej se ai kishte ofruar mbështetje logjistike, materiale dhe informacione policore për grupin.

Mediumi raporton se mbyllja e objektit në Zveçan po shihet si vazhdim i aksioneve të institucioneve të Kosovës për çmontimin e infrastrukturës së njerëzve që konsideroheshin pjesë e rrethit të ngushtë të Radoiçiqit.

Po ashtu, sipas këtij medium, pas largimit nga Kosova, Bojiq ishte emëruar në pozitë drejtuese në kompaninë “Novi Pazar put”, gjë që nga kritikët interpretohet si shpërblim për lojalitet dhe heshtje.

Raportimi përmend edhe emrin e Nenad Rikalos, për të cilin thuhet se lidhet me zhvillimin e këtij biznesi, duke ngritur dyshime për ekzistencën e një rrjeti më të gjerë politik dhe të sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas të njëjtit burim, edhe vetë emri “TEAM” lidhet me disa biznese të mëhershme të Radoiçiqit në Kosovë, përfshirë kompani dhe pika karburanti që operonin me të njëjtin emërtim.

Ky rast vjen pasi muajve të fundit autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë aksione ndaj disa pronave të lidhura me Millan Radoiçiqin, përfshirë vilën në Ujman dhe restorantin “Grej” në veri të Mitrovicës.

Të Ngjashme