Lajme

Rrugëtimi i Vjosa Osmanit pas Presidencës/ Njohësit flasin për mundësitë e saj në politikë – ja pse shprehen skeptikë!

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, pasi presidentes së deritanishme, Vjosa Osmani, i mbaroi mandati.

Osmani ia dorëzoi Haxhiut detyrën të shtunën pasdite në një ceremoni në zyrën e saj në Prishtinë.

Osmani tha se ishte e lumtur që detyrën po ia lë në dorë një gruaje dhe se shpreson se presidenti i ardhshëm i vendit të jetë grua po ashtu.

Haxhiu e falënderoi Osmanin për punën e bërë në mandatin e saj pesëvjeçarë dhe tha se uron që Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri sa më parë.

“Unë e kuptoj përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese dhe zotohem se do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, tha Haxhiu teksa e pranoi detyrën.

Haxhiu e mori pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, për shkak se Kuvendi dështoi ta zgjidhte një president të ri në kohë dhe Osmani nuk e gëzoi mbështetjen e ligjvënësve për një mandat të dytë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse presidenti nuk zgjidhet në kohë ose posti mbetet vakant, kryetari i Kuvendit emërohet ushtrues detyre për një periudhë jo më të gjashtë se gjashtë muaj, deri sa vendi ta zgjedhë një president të ri.

E të gjendur në këtë situatë cilët mund të jenë hapat e Vjosa Osmanit në politikë dhe si do vijojë veprimtaria e saj politike?

Halili: Forca e Vjosa Osmani varet nga ndërtimi i një strukture të qëndrueshme dhe një alternative të qartë

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.

Profesori thotë se, ndryshimet e fundit politike, ku Vjosa Osmani largohet nga posti dhe detyrën e merr Albulena Haxhiu, krijojnë një fazë të re dhe i hapin Osmanit mundësinë të rikthehet më aktivisht në politikë partiake, pasi më parë ishte e kufizuar nga roli i presidentes.

Ai analizon se ajo ka disa rrugë të mundshme—rikthim te Lidhja Demokratike e Kosovës, krijim të një partie të re, ose bashkëpunim me Albin Kurti—por thekson se secila ka sfida dhe mund të ndikojë në peshën e saj politike në të ardhmen.

Image
Nijazi Halili

“Zhvillimet e fundit politike, ku Vjosa Osmani ka dorëzuar mandatin dhe ushtrimin e detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, hapin një fazë të re në skenën politike të vendit. Në vijim, pritet që Osmani të rikthehet më drejtpërdrejt në jetën partiake, pasi posti i presidentes e kishte kufizuar angazhimin e saj aktiv politik. Ka disa skenarë të mundshëm për hapat e saj: Së pari, një rikthim në Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet teorikisht i mundshëm, por jo shumë i sigurt, duke pasur parasysh ndarjet e mëparshme dhe raportet e tensionuara me strukturat aktuale të kësaj partie.

Së dyti, një opsion më realist mund të jetë krijimi i një subjekti të ri politik, ku Osmani do të tentonte të kapitalizojë imazhin e saj si figurë reformiste dhe me mbështetje qytetare. Një lëvizje e tillë do të synonte të tërhiqte votues të zhgënjyer si nga LDK-ja ashtu edhe nga parti të tjera tradicionale.

Së treti, mbetet për t’u parë nëse ajo do të ruajë ose rindërtojë bashkëpunimin me Albin Kurti dhe spektrin politik që e mbështeti në të kaluarën. Megjithatë, pa qenë pjesë formale e një strukture të madhe si Vetëvendosje, do ta ketë më të vështirë të ruajë të njëjtën peshë politike që kishte kur ishte në aleancë të ngushtë me Kurtin”, shpjegoi profesori.

Ndër të tjera, ai shton që forca politike e Vjosa Osmani do të varet kryesisht nga krijimi i një strukture të fortë dhe një alternative të qartë politike në Kosova.

“Në fund, forca politike e Osmanit do të varet nga aftësia e saj për të strukturuar një bazë të qëndrueshme organizative dhe për të artikuluar një alternativë të qartë politike. Mbështetja personale dhe popullariteti janë të rëndësishme, por në politikën e Kosovës, struktura partiake dhe terreni mbeten vendimtare”, përfundoi profesori Halili për “Bota sot”.

Zogaj: Vjosa Osmani përballet me zgjedhje të vështira mes rikthimit dhe një rruge të re politike

Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Vjosa Osmani e ka përmbyllur mandatin e saj presidencial me sukses, duke treguar përkushtim ndaj vendit dhe duke ruajtur me dinjitet prestigjin e Kosova, sidomos në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, edhe pse ajo do të mund të vazhdonte me një mandat të dytë, mosvazhdimi i tij nuk është domosdoshmërisht negativ, pasi ndryshimet në vendet në tranzicion shpesh kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm.

“Presidentja Vjosa Osmani e ka përmbyllur mandatin e saj me sukses në postin e të parës së shtetit. Kjo përbën një arritje të rëndësishme për një udhëheqëse, aspirata kryesore e së cilës ka qenë shërbimi sa më i mirë ndaj vendit dhe qytetarëve të saj.

Image
Skender Zogaj

Pavarësisht “thashethemeve” që shoqërojnë zakonisht çdo përfaqësues të lartë shtetëror, vlerësoj se Vjosa Osmani i ka përmbushur me përgjegjësi detyrat e saj, veçanërisht në planin ndërkombëtar, duke e ruajtur me dinjitet prestigjin e Kosovës në mesin e vendeve mike. Këto rezultate mund të kishin shërbyer si bazë edhe për një mandat të dytë. Megjithatë, edhe mosvazhdimi i mandatit nuk duhet parë si problematik, pasi në vendet në tranzicion ndryshimet janë shpesh të dobishme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror”, theksoi publicisti.

Në fund, ai shpjegon që Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën Albulena Haxhiu, ndërsa tani mbetet e paqartë rruga politike si për Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, ku çdo vonesë mund ta dëmtojë Kosova.

Sipas tij, e ardhmja politike e Osmanit shihet si komplekse, pasi rikthimi në Lidhja Demokratike e Kosovës duket i vështirë, ndërsa krijimi i një partie të re mbetet një mundësi që shoqërohet me rreziqe për të ardhmen e saj politike.

“Presidentja Osmani ia dorëzoi detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu, ndërsa tani mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi dhe objektivi i Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet pa vonesa, ose përndryshe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pasi çdo zvarritje përbën humbje për Kosovën.

Sa i përket së ardhmes politike të Vjosa Osmanit, ajo paraqitet e ndërlikuar dhe e kushtëzuar nga gatishmëria e saj për të qenë e sinqertë ndaj strukturave dhe votuesve të Lidhjes Demokratike te Kosovës, nga të cilat u shkëput duke krijuar një subjekt të ri politik. Ky zhvillim ndodhi në një moment krize të brendshme të LDK-së dhe është parë nga shumëkush si një veprim me pasoja të rënda për këtë parti.

Prandaj, situata mbetet komplekse: rikthimi në LDK nuk duket i përshtatshëm për Vjosa Osmanin, por njëkohësisht paraqet sfidë edhe për vetë LDK-në, e cila nuk mund të shndërrohet në një strukturë rehabilitimi politik. Krijimi i një partie të re nga ana e saj mbetet një mundësi, por edhe një rrezik që mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e saj politike”, përfundoi publicisti Zogaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme