Lajme

Rrustemi: LVV nuk frikësohet nga presidenti Trump, presim forcim të raporteve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i frikësohet në asnjë mënyrë zgjedhjes së Donald Trump president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rrustemi është shprehur i bindur se raportet mes Kosovës dhe ShBA-ve nuk do të lëkunden por përkundrazi sipas tij ato do të forcohen.

“Për çështjen e zgjedhjes së Donald Trump si president ka pasur një lloj frike një lloj ankthi nga e panjohura. Jo ne në asnjë mënyrë nuk kemi frikë por po flas globalisht. Siç po konfirmohet edhe nga këto emërimet e fundit unë jam i bindur që nuk do të lëkundet dhe nuk do të preket përkundrazi do ta forcojnë raportin shqiptaro amerikan në përgjithësi dhe raportet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.

I pyetur se a po tenton opozita ta shfrytëzojë administratën e re të presidentit Trump për ta goditur Lëvizjen Vetëvendosje, Rrustemi ka thënë se opozita po përdor çdo gjë për ta goditur VV-në.

“Opozita dhe këto grupet le të themi rreth opozitës po përdorin çdo element të caktuar qoftë edhe me afat skadence njëditore për ta goditur Vetëvendosjen. Sot thonë diçka tjetër dhe e përdorin kundër LVV e të nesërmen diçka krejt tjetër që është në kundërshtim me atë që kanë thënë një ditë më parë”, ka shtuar ai./teve1.info/