Lajme

Rrustemi: Marrja e veriut nën kontroll, ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë

Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se veprimet e Qeverisë Kurti në veriun e Kosovës përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Ajo se çfarë ka bërë Qeveria Kurti në veriun e Kosovës është e jashtëzakonshme. Për bindjen time, pas shpalljes së pavarësisë dhe krahas shpalljes së pavarësisë, marrja nën kontroll e veriut të Kosovës është ngjarja më e rëndësishme politike në këto 26 vite në Kosovë”, deklaroi ai në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.

Ai theksoi se qëndrimet e kundërta politike për zhvillimet në veri janë të natyrshme, por gjuha që përdoret duhet të mbetet brenda kornizave politike.

“Nëse ke qëndrim diametralisht të kundër me veprimet në veri , nuk mund të ketë gjuhë të moderuar politike, sepse pozicionet janë radikale, ama gjuha duhet të jetë politike, asnjëherë nuk duhet të jetë fyese e poshtëruese”, deklaroi ai.

Rrustemi theksoi se menaxhimi i situatës në veri ka krijuar realitet të ri politik dhe institucional për vendin. /teve1.info/